Ballkani ka triumfuar në derbin ndaj Gjilanit 2-0 në kuadër të javës së nëntë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Mysafirët e nisën më mirë ndeshjen, duke sulmuar përmes Solomon, por Stivi Frashëri ishte i vëmendshëm.
Kampioni në fuqi filloi të këndellej dhe rrezikoi përmes Lumbardh Dellovës në minutën e 20-të, por Enea Koliçi ishte në vend.
Ballkani vazhdoi me raste të mira, por Meriton Korenica dhe Ermal Krasniqi nuk i konkretizuan ato.
Rast të mirë pati edhe Baton Zabërgja i Gjilanit, por sërish ishte Frashëri fitimtar.
Derisa po përfundonte pjesa e parë, Ballkani ia doli të kalonte në epërsi me golin e Arbër Prekazit që shënoi në minutën e 45+2-të.
Pjesa e dytë më pas ishte e dominuar nga vendasit, gjersa ia dolën të shënonin edhe golin e dytë.
Fillimisht, në minutat në vazhdim – shanse të mira shënimi lëshuan Dellova, Krasniqi, Korenica e Bajram Jashanica.
Por, për të vulosur fitoren e skuadrës nga Suahreka u përkujdes Ermal Krasniqi, që në minutën e 87-të pranoi një asistim të bukur nga Korenica, për fitoren 2-0.
Pas javës së nëntë, Ballkani ka arkëtuar 18 pikë, tri më pak se lideri Drita që ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara, derisa Gjilani është në të tretin me 14 sosh. /Telegrafi/