Telegrafi

Ballazhi: Logo e 10-vjetorit të Pavarësisë identifikon simbolet e shtetit, vlera e kontratës 1,000 euro (Video)

Autori i logos zyrtare për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Zeni Ballazhi, në emisionin “Përballje” , ka sqaruar çështjen e punimit të logos zyrtare për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ai ka theksuar se ka pasur konkurs nga ana e Presidencës, i cili ka qenë i hapur që nga muaji nëntor dhe ka konkurruar.

“Pas anulimit të fituesit të parë, më kanë thirr nga Zyra e Presidencës dhe më kanë treguar se unë jam fituesi. Kam dalë para komisionit dhe ua kam prezantuar logon”, tha Ballazhi.

Ai shtoi se kjo logo është zyrtare, dhe nuk ka të bëjë me plagjiat, duke treguar edhe se çfarë simbolizon logoja e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Kjo logo identifikon simbolet e shtetit të Kosovës, ngjyrat e flamurit të shtetit të Kosovës, yjet janë të radhitura në atë formë që Kosova është drejt zhvillimit të saj gjatë këtyre viteve”, tha ai.

Ballazhi tutje shtoi se për këtë logo shpërblimi do të jetë 1 mijë euro.

“Vlera e kontratës është 1000 euro. Ndërkaq po presim që këto ditë ta nënshkruajmë”, tha Ballazhi.

Arstisti Ballazhi kishte punuar edhe logon zyrtare për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Emisioni “Përballje” është prodhim i Telegrafi me gazetarin Muhamet Hajrullahu dhe transmetohet çdo të hënë në ora 20:10 në RTV Dukagjini. /Telegrafi/