Telegrafi

Ballafaqohet me përgjime, Mustafa e pranon se nuk ishte në rregull komunikimi për tenderët

Ish-kreu i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, është përballur me përgjimet e mesazheve që ai kishte shkëmbyer në lidhje me tenderët.

I pyetur nëse është në rregull që një Kryetar i Komunës të thotë se tenderin po ja japim një operatori ekonomik, ai ka thënë se nuk është ne rregull.

“Nuk është në rregull. Tash e them që nuk është në rregull prej kësaj distance mirëpo unë e kam pas vetëm për me i mbajt në komunikim të rregullt përndryshe është komunitet shumë i vogël dhe miq kemi qenë të gjithë. Unë ata i kam njohur edhe prej kur s’kam qenë kryetar edhe kur isha kryetar edhe i njoh edhe sot dhe kam komunikim shumë të mirë me ta”, është shprehur Mustafa, në emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Lexo po ashtu Përgjimet për kurdisjen e tenderëve në Gjilan që u shpallen të paligjshme në rastin e Qemajl Mustafës

Ai ka shtuar se është dashur të kufizohet në këto komunikime që ai kishte zhvilluar.

“Po ka qenë dashtë. Po e pranoj se ka qenë dashtë mu kufizu mirëpo kurrë nuk thotë prokurori që ky të cilit i premtoi kryetari me marrë kodrën nuk e mori. A e din pse se mori se komisioni ia vlerësoj dikujë tjetër dhe ia dha dhe kurrë nuk e thotë që prapë i njëjti nuk e mori as zabelin, por e mori dikush tjetër që si plotësonte kushtet ky këta se thotë prokurori. Prokurori e ka vetëm një qëllim nga fillimi qysh me goditë Qemjal Mustafën dhe atë strukturë dhe me gjuajte në baltë për me diskretu dhe me majtë peng nja 11 vjet. A pe shihni kur kanë nise hetimet vitin 2011 dhe asht viti 2022 kur u marrë tek një vendim në nivelin Themelore”, ka thënë Mustafa.