Telegrafi

Balaj: Konkurrenca në Kombëtare na ka bërë mirë, Grezda e ka siguruar vendin në formacion

Kombëtarja e Shqipërisë është grumbulluar për të luajtur ndeshjen miqësore me Norvegjinë.

Kësisoj lojtarët e ftuar nga trajneri Christian Panucci kanë dalë me rend në konferencë për shtyp.

Koha ishte për sulmuesin shkodran Bekim Balaj i cili ka folur për prurjet e reja në Kombëtare si dhe karrierën e tij në Rusi.

“Gjithmonë kam dhënë maksimumin me Kombëtaren dhe është e rëndësishme që kam dhënë kontribut”.

“Ishte një kohë e gjatë që mungova. E vlerësoj shumë kthimin tim në Kombëtare. Jam duke u ndjerë mirë dhe ngadalë po arrij formën time më të mirë. Shpresoj të jap më të mirën ndaj Norvegjisë”, ka thënë Balaj.

Bekim Balaj

Tutje shkodrani tha se është i gatshëm të jap më të mirën për Kombëtaren shqiptare.

“Unë jam i gatshëm të jap më të mirën nga vetja për aq sa të më jepet mundësia. Për ne sulmuesit është e rëndësishme që të gjithë të japim më të mirën”.

“Do kisha dashur të luaja unë titullar, por është trajneri që zgjedh dhe unë do bëj më të mirën. Në ekip Kombëtar asnjë nga ne nuk i konsideron miqësore, pasi nuk janë shumë të shpeshta. Ndoshta është një mundësi më shumë për gjithsecilin nga ne që ti jepet mundësi dhe të japë maksimumin”.

Krejt në fund sulmuesi ka folur edhe për Eros Grezden duke thënë se ai ka siguruar vendin në formacion.

“Erosi ka bërë mirë në këto ndeshjet e fundit. E ka siguruar një vend për vete. Ai luan si sulmues krahu nuk hyn te pjesa e qendrës. Ai ka bërë mirë dhe i ka shtuar kualitet lojës tonë në sulm”, përfundoi Balaj. /Telegrafi/