Telegrafi

Balaj-Halimi: Derisa politikat e NISMA-s drejtonin MASHT-in, kishte shpresa për rikthim në ENQA

Kandidatja për deputete nga koalicioni NISMA/AKR/PSD, Albulena Balaj-Halimi ka folur për fajtorët e mundshëm që kanë ndikuar që Kosova të përjashtohet nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Balaj-Halimi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se derisa në Ministrinë e Arsimit kanë udhëhequr politikat e NISMA-s janë bërë përpjekje për përmirësimin e situatës me ENQA-n, por sipas saj ka pasur persona që nuk kanë punuar drejtë, përcjell Telegrafi.

“Derisa NISMA ka drejtuar MASHT është bërë shpallje publike për të ardhur profesorët e interesuar e për t’u bërë pjesë e AKA. Pra për herë të parë ka ekzistuar një komision që ka bërë përzgjedhje”.

Ajo ka fajësuar Xhavit Rexhajn që ishte pjesë e debatit dhe disa të tjerë, pasi sipas saj ata u bënë anëtarë të AKA dhe më pas flisnin në superlative për subjektet politike të zemrës.

“Të njëjtit sot flasin për politizim të arsimit”, thotë Balaj-Halimi.

Kandidatja për deputete nga koalicioni NISMA/AKR/PSD thotë se derisa NISMA ka udhëhequr me MASHT ka pasur shumë shpresë që Kosova do të kthehej në ENQA./Telegrafi/