Telegrafi

Balaj flet për skuadrën e tij të re Sturm Graz: Dua të krijoj kujtime të bukura te ky klub

Sulmuesi shqiptar, Bekim Balaj ka kompletuar transferimin te skuadra austriake Sturm Graz.

Reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë ishte futbollist i lirë pasi i kishte mbaruar kontrata me klubin rus Akhmat Grozny.

28-vjeçari është prezantuar në një konferencë për shtyp, ku ka thënë se mezi pret t’i bashkohet skuadrës.

“Në momentin që nënshkrova u bëra zyrtarisht pjesë e këtij klubi dhe me padurim prisja të bëhesha pjesë e skuadrës. Sot ishte dita e parë dhe bëra stërvitje individuale dhe analizën teknike me grupin, por jam i ri dhe po mësohem me skuadrën, me grupin”.

“Pres me padurim që t’i bashkohem punës me pjesën tjetër dhe të luaj para tifozëve tanë në stadium pasi kam dëgjuar që janë mbështetës të zjarrtë”, tha Balaj.

Tutje shkodrani ka thënë se për klubin ka dëgjuar nga bashkëqytetari i tij Hamdi Salihu që për një kohë të gjatë ka luajtur në Austri.

“Kam dëgjuar më shumë nga Salihi, i cili ka luajtur për shumë kohë në Austri, ai më ka dhënë informacionet bazë mbi kampionatin dhe Sturm Grazin, stadiumin, fansat, qytetin”.

“Përshtypja e parë ishte pozitive, tani po prek gjithçka vete, do të shoh vetë gjithçka çdo ditë. Uroj që të kem kujtime të bukura në këtë qytet dhe në këtë klub”, përfundoi sulmuesi shqiptar. /Telegrafi/