Telegrafi

Bakija: Zgjedhja e Konjufcës në krye të Kuvendit pa marrëveshje me LDK-në, e dërgon vendin pranë zgjedhjeve të reja

Jetmir Bakija nga organizata joqeveritare “Demokracia Plus” ka thënë se pas vendimit befasues të Vetëvendosjes për të propozuar dhe zgjedhur kryetar të Kuvendit, Glauk Konjufcën kanë mbetur dy alternative.

Ai në RTV Dukagjini ka thënë se ose do të pranohet tashmë pa kushte që posti i presidentit t’i takojë LDK-së ose vendi do të shkojë në zgjedhje.

Bakija ka thënë se me këtë vendim ka filluar edhe rrjedhja e afateve kushtetuese kur Albin Kurtit do t’i duhen 15 ditë për të siguruar shumicën në Kuvend, përcjell Telegrafi.

Anëtari i shoqërisë civile thotë se zgjedhja e Konjufcës pa marrëveshje me LDK-në, e dërgon vendin shumë pranë zgjedhjeve të reja.

Bakija ka thënë se tashmë është  në dorën e Presidentit që t’i jep mandatin partisë që ka dalë e para në zgjedhje që të mandatojë kandidatin për kryeministër.

Ai thotë se ende ka shpresë që LDK dhe Vetëvendosje të merren vesh për ndonjë matematikë edhe pse sipas tij çdo gjë është vështirësuar.

“Nëse vendi shkon në zgjedhje Vetëvendosje dhe LDK duhet të japin arsyetimet e tyre para qytetarëve pse nuk kanë mundur të gjejnë marrëveshje”, ka thënë ai. /Telegrafi/