Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se Buxheti i Kosovës për vitin 2018 paraqet ndarje të thellë, rajonale dhe komunale, ndërsa ka theksuar se vota aprovuese për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi nga Ramush Haradinaj është ‘lajmi i vitit’.
Ai e ka ndërtuar krejt kauzën e tij politike mbi kundërshtimin e kësaj marrëvshje, të cilën tash me votën e tij e çon në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar më tutje në Info Magazine të Klan Kosovës ish-ministrja Bajrami.
“Ky buxhet është politik. Sepse përderisa për investime në Deçan janë ndarë rreth 1 milionë euro, për investime në Pejë janë ndarë vetëm 50 mijë euro. Nuk ka praktikë në botë që të krijohet një ministri e cila do ta mbikëqyrë zhvillimin proporcional rajonal, dhe punën e ministrive tjera në këtë drejtim”.
“Është lajm i vitit vota ‘për’ marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi nga kryeministri Ramush Haradinaj. Në kundërshtim me krejt kauzën e tij ai e ka bërë këtë gjë. Do të jetë skandaloze që ai tash t’u thotë deputetëve se nuk duhet ta votojnë këtë marrëveshje”, tha Bajrami. /Klan Kosova/