Site icon Telegrafi

Bajrami vizitoi kompanitë kosovare, pjesë e panairit të madh ANUGA në Gjermani

Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, vizitoi prezantimin e produkteve të kompanive kosovare në panairin e ushqimit dhe pijeve ANUGA i cili po mbahet nga data 10-14 tetor në Këln të Gjermanisë, panair ky më i madhi i këtij sektori në Evropë.

Kjo pjesëmarrje e kompanive vjen si rezultat i bashkëpunimit të kompanive prodhuese kosovare me MTI-në, Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA), donatorët USAID, Swisscontact, UNDP, si dhe Shoqatës Kosovare të Përpunuesve Pemë dhe Perime.

Panairi ka karakter ndërkombëtar dhe marrin pjesë mbi 90 vende nga tërë bota me një pjesëmarrje prej mbi 6.700 pjesëmarrës (ekspozues). Prodhuesit kosovarë pjesëmarrës në këtë panair do të kenë mundësinë të ekspozojnë produktet e tyre dhe të krijojnë lidhje biznesi e marrëdhënie kontraktuale me partnerë nga e mbarë bota.

Gjithashtu, ministrja Bajrami, e shoqëruar nga konsulli i Kosovës në Frankfurt, i bëri një vizitë edhe Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, union ky i themeluar para dy viteve, me rreth 200 anëtarë.

Kryetari i Unionit, Nazmi Viça, tregoi se qëllimi i kësaj shoqate është bashkimi i bizneseve shqiptare në Gjermani, si dhe fuqizimi i tyre. Ai bëri të ditur se anëtarësimi rreth këtij Unioni po rritet gjithnjë e më shumë dhe ndihma që japin për vendin e tyre të lindjes vazhdon në mënyra të ndryshme.

Bajrami tha se në Kosovë po ndryshon ambienti i biznesit.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia për Promovim të Investimeve do të jenë gjithmonë një derë e hapur dhe do të vazhdojnë të luajnë rolin avokues për të gjitha bizneset”, premtoi ministrja.

Përfaqësues të bizneseve kërkuan nga institucionet e vendit infrastrukturë ligjore që ua bën më të lehtë zhvillimin e procedurave për investime dhe që ofron mbrojtjen e investimeve.

Kompanitë kosovare pjesëmarrëse në panair janë Bodrumi i vjetër – Rahovec, Liri, Sole Kosova, Hit flores, Fungo FF, Golden Eagle, Frutomania, Abi Elif, Baha, Eko Wine, Winery Rahovec.

Exit mobile version