Site icon Telegrafi

Bajrami sfidon Muratin për debat publik: Zgjidh televizionin, unë jam e gatshme

Ish-ministrja e Ekonomisë, Hykmete Bajrami, ka reaguar fuqishëm ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar për manipulime në lidhje me rritjen e çmimeve dhe përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në afera të dyshimta korruptive.

Në një postim të saj në rrjetet sociale, Bajrami theksoi se rritja mesatare e çmimeve që prej marrjes së mandatit nga Murati ka arritur në 22%, ndërsa muajin e fundit është shtuar edhe 1.4%.

Sipas Bajramit, manipulimet e fundit të ministrit Murati nuk kanë për qëllim të bindin qytetarët se nuk janë rritur çmimet, por për të larguar vëmendjen nga akuzat e rënda për korrupsion që lidhen me tenderët sekretë në vlerë prej 273 milionë eurosh.

Ajo kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje të sqarojë lidhur me përfshirjen e zyrtarëve të partisë në këtë skandal.

“Si është e mundur që për një rast korrupsioni në KEK të intervistohet një zyrtare e lartë e LVV-së, e cila nuk ka asnjë funksion në Qeveri apo KEK?”, pyeti Bajrami, duke vënë në dyshim rolin e partisë në këtë proces.

Në fund të reagimit, Bajrami i bëri një ftesë publike Muratit për një përballje televizive, ku të ballafaqohen me fakte në lidhje me rritjen e çmimeve dhe reformat që ai pretendon të ketë realizuar.

“Zgjidh televizionin, zgjidh kohën, zgjidh panelin – unë jam e gatshme,” tha ajo, duke theksuar se është e bindur se qytetarët do të dallojnë propagandën nga faktet. /Telegrafi/

Exit mobile version