Site icon Telegrafi

Bajrami pyet Kryeministrin: Nga do t’ia fillosh demarkimin, nga Serbia, Shqipëria apo Mali i Zi?

Nisma për Kosovën nuk do të jetë pjesë e komisionit të caktuar nga Qeveria e Kosovës për matjen e territorit të vendit.

Nisma për Kosovën konsideron se kryeministri Isa Mustafa dhe Komisioni Shtetëror duhet të japin llogari për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Shefja e grupit parlamentar nga Nisma, Valdete Bajrami për Gazetën Monitor ka thënë se ftesa e kryeministrit Mustafa është vetëm për të fituar kohë.

Madje ajo ka pyetur Kryeministrin se nga do të fillojë demarkimi i territorit të Kosovës.

“Nisma për Kosovën nuk do të jetë pjesë e këtij komisioni dhe kjo iniciativë e z.Mustafa është për të fituar në kohë. Unë e kam një pyetje për z.Mustafa se nga do ta fillojë matjen? Sepse, siç e dini vendi jonë nuk e ka demarkimin me Shqipërinë, me Serbinë dhe me Malin e Zi”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ndër të tjera ka theksuar se komisioni shtetëror duhet të jap llogari për marrëveshjen e arritur me Malin e Zi.

Sipas saj, gjithçka duhet të kthehet në pikën zero.

“ Prandaj, z.Mustafa dhe Komisioni shtetëror duhen të japin llogari për marrëveshjen e arritur me Malin e Zi, sepse është dëshmuar se këta të njëjtit e kanë rrezikuar territorin e shtetit dhe t’i lënë këto lojëra sepse shumë qesharak janë bërë. Duhet të dinë të gjithë se Nisma për Kosovën e ka qëndrimin e saj për marrëveshjen e Demarkimit dhe kërkojmë prapë që kjo e njëjta të kthehet në pikën zero”, ka theksuar Bajrami. /Gazeta Monitor/

Exit mobile version