Site icon Telegrafi

Bajrami para përballjeve vendimtare me Republikën Çeke dhe Poloninë: Tifozët na motivojnë

Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht sot përgatitjet dhe stërvitjet në kuadër të dy ndeshjeve ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë, të vlefshme për Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”.

Në konferencën për mediat kanë dalë këtë të hënë sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Nedim Bajrami, të cilët kanë folur për dy sfidat e rëndësishme që kuqezinjtë do të luajnë fillimisht ndaj çekëve në Pragë më 7 shtator ndërsa tre ditë më vonë ndaj Polonisë më 10 shtator në stadiumin ‘Air Albania’.

Për mediat e pranishme në Air Albania në konferencë foli edhe mesfushori Nedim Bajrami.

Mesfushori, i cili aktivizohet në Itali te Sassuolo, theksoi se Kombëtarja kuqezi është gati për ndeshjen dhe do tentojë të marrë tre pikët. Për këtë duhet dhënë maksimumi në fushë. Bajrami foli edhe për aspektin personal dhe se sa e ka ndihmuar trajneri Silvinjo.

Protagonist në qershor, çfarë presim tani? – Isha shumë i lumtur që i shënova dy gola. Tani me Çekinë kemi një ndeshje shumë të vështirë. E dimë që është një kundërshtar fizikisht i fortë, por ne e përgatisim ndeshjen sa më mirë. Jemi të gjithë çunat gati dhe do e japim maksimumin për këtë ndeshje.

Çfarë ka ndryshuar këto muaj te Bajrami? – Kam folur edhe me trajnerin, më ka ndihmuar shumë. Më ka ndihmuar mentalisht dhe jam shumë i lumtur që ka ardhur Silvinjo këtu. Duhet të vazhdoj kështu, që në ndeshjen me Çekinë ta ndihmoj skuadrën edhe një herë. Me rëndësi është që të marrim tre pikët. Siç tha edhe Cikalleshi, nëse nuk i marrim tre pikët, rëndësi ka të mos humbim.

Ngacmimet me Asllanin dhe Ismajlin? – Flasim çdo ditë më Asllanin dhe Ardianin. Jam shumë i lumtur që tani edhe Berisha e ka gjetur skuadrën. Edhe dje luajti shumë mirë. Me rëndësi tani është ndeshja me Çekinë. Jemi të gjithë gati, të gjithë çunat kanë minuta në këmbë dhe kjo është me rëndësi për ne.

Mbështetja e tifozëve, presion apo motivim? – Besoj se nuk kemi presion, na motivon më shumë dhe jemi të lumtur që ata vijnë në stadium dhe na ndihmojnë.

Cili repart do ketë ngarkesën më të madhe ndaj Çekisë? – Të gjithë duhet të jemi në formë, nuk ka një lojtar ose dy lojtarë që e ndryshojnë lojën. E gjithe skuadra duhet të jetë në formë dhe ta përgatisim ndeshjen sa më mirë, të fusim shpirtin në fushë.

Çfarë kërkon trajneri? – Nuk kam folur ende me trajnerin, pasi kam ardhur dje, por besoj se të gjithë çunat jemi gati. Ta përgatisim ndeshjen sa më mirë, të japim maksimumin. E dimë që Çekia është e fortë fizikisht, por ne jemi gati.

Exit mobile version