Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami në një intervistë për emisionin “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka thënë se në administratë ka filluar persekutimi i punonjësve.
Bajrami thotë se për herë të parë në Kosovë ka evidenca që punëtorët e administratës po i lëshojnë vendet e punës dhe Kosovën.
Sipas ish-ministres së Financave e gjitha kjo po ndodh për shkak të persekutimit politik.
“Kemi ikje masive të punëtorëve të kualifikuar. Për herë të parë kemi ikje masive të punëtorëve nga administrata publike. Kjo po ndodh pasi që ka persekutim të njerëzve, ndjekje të njerëzve dhe një stagnim në paga”.
Bajrami thotë se ka ngecje edhe në investimet kapitale.
“”Gjakderdhja financiare” siç e ka quajtur kjo qeveri nuk është ndalur as në qeverisjen e Kurtit. Kemi subvencione për pjesën më të madhe të ndërmarrjeve publike”.
Deputetja opozitare thotë se qeveria ka ndryshuar strukturën buxhetore në dëm të investimeve kapitale.
“ Qeveria ka mbledh shumë më tepër tatime për shkak se janë ngritur çmimet…Rreth 40% e buxhetit që shkon në subvencione. Këto mjete që shkojnë në subvencione shkojnë në markete. Por ndryshe kur mjetet shkon në investime kapitale pasi paguhen punëtorë të ndryshëm”, ka deklaruar tutje deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami./Telegrafi/