Telegrafi

Bajrami: Në fund të marsit dihet fati i Brezovicës

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, gjatë një interviste për Telegrafi ka thënë se ministria të cilin e drejton ka arritur qëllimet e planifikuar për vitin 2015. Ajo ka treguar se e kanë përmirësuar ambientin e të bërit biznese, po ashtu kanë lehtësuar punën e bizneseve. Bajrami ka premtuar se gjatë vitit 2016 do të angazhohen më shumë për të sjellë investime të huaja. Ministrja Hykmete Bajrami ka treguar se kanë bërë përmirësime dhe rritje të kontrolleve sa i përket cilësisë së naftës. Deri sa nga projekti për Brezovicën pret që të rrisë numrin e të punësuarve në vend, kurse investitori ka kohë deri më 31 mars t’i përmbush kushtet kontraktuale.

Intervistoi: Lulzim Ahmeti

Telegrafi : Si e vlerësoni vitin 2015 në përgjithësi për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë?
Bajrami: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndërmarrë veprime dinamike për gjatë gjithë vitit 2015 sa i përket përmbushjes së objektivave strategjike dhe realizimit të planit të punës, përkatësisht Programit të Qeverisë 2015-2018. Të gjitha objektivat dhe masat e parapara në kuadër të planit qeverisës janë adresuar me mjaft përkushtim dhe seriozitet duke qenë në përputhshmëri të plotë me afatet kohore të për caktuara në planin për zbatimin e programit të Qeverisë 2015-2018. Pra, plani i punës për vitin 2015 është kryer me sukses dhe se nuk ka asnjë aktivitet në të cilin nuk është punuar me dinamikë të lartë. Viti 2015 ka sjellë njësorë zhvillimesh pozitive sa i përket aspektit ekonomik në vend, dhe në këtë mes, MTI ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

Fondi rrit qasjen në financa të bizneseve

Telegrafi: Çfarë është bërë për të lehtësuar punën e bizneseve në vend?
Bajrami:
Qeveria e Republikës së Kosovës, në programin e saj qeverisës e ka si prioritet agjendën ekonomike dhe po punon me përkushtim në krijimin e kushteve sa më të favorshme për bizneset. Për të realizuar objektivat e agjendës sonë ekonomike janë marrë një sërë veprimesh të rëndësishme, si: Është ri-funksionalizuar Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE). KKZHE-ja është platforma më e rëndësishme e dialogut publik-privat ku ka diskutuar çështje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, si: Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Programi i Reformave Ekonomike, Marrëveshja për Stabilizim Asociim, Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes, pakon e politikave fiskale, etj, dhe ka marrë një sërë vendimesh me interes për përmirësimin e klimës së të bërit biznes.Me qëllim të lehtësimit të punës së bizneseve, gjatë këtij viti janë bërë hapa të rëndësishëm.

MTI-ja ka asistuar Ministrinë e Financave në procesin e pakos së re të reformave fiskale dhe lehtësirave doganore për nxitjen e prodhimit vendor. Duke pasur parasysh se një nga problemet e bizneseve të vogla dhe të mesme ka qenë vazhdimisht qasja në financa, është përgatitur Projektligji për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore i cili është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe Fondi pritet të funksionalizohet në fillim të vitit 2016.

Po ashtu është bërë ndarja e granteve financiare nga fondi i përbashkët me BE-në, në vlerë totale prej 4 milionëeuro. Në anën tjetër, MTI ka punuar me prioritet në implementimin e Aktit Evropian për Biznes të Vogël, dhe për këtë qëllim, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është formuar nëngrup i veçantë i punës i cili merret vetëm me implementimin e plotë të këtij akti. Një projekt tjetër ndihmës është projekti i ofrimit të këshillimeve për bizneset, kugjatë këtij viti 154 ndërmarrjeve u janë ofruar shërbime këshillimi përmes skemës së këshillimeve të subvencionuara duke ua subvencionuar 80% të vlerës totale. Në anën tjetër është punuar në eliminimin e barrierave tjera,ku Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka bërë zvogëlimin dhe eliminimin e shumicës së taksave dhe pagesave për shërbimet e ofruara nga ky institucion shtetëror.

Jemi duke punuar poashtu, bashkë me Ministrinë e Financave, në projektin e sistemit të integruar për regjistrimin e bizneseve, që do të thotë se bizneset tona, në vend të disa numrave të cilët i përdorin aktualisht, do ta kenë vetëm një të tillë. Pjesë shumë e rëndësishme e krijimit të kushteve për afarizëm është edhe funksionalizimi i zonave të lira ekonomike, ku ne si MTI kemi punuar gjatëtërë vitit; janë finalizuar punët në Parkun e Biznesit në Drenas; Për Zonën Ekonomike në Mitrovicë, gjatë vitit 2015 janë ndarë 200.000 euro nga buxheti i MTI-së; për Zonën Ekonomike në Shtime – MTI ka ndarë 250,000 euro për ndërtimin e infrastrukturës; për Zonën Ekonomike në Suharekë – Agrozona Industriale në Samadraxhë,e cila është krijuar këtë vit, janë ndarë 110,000.00 euro për ndërtim të infrastrukturës;për Inkubatorine biznesit në Komunën e Istogut, MTI-ja ka ndarë 70,000.00 euro. Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim që zona kadastrale Bërnicë e Poshtme, në sipërfaqe prej 8000 metra katror, të shpallet Inkubator i Biznesit për ndërmarrjet që merren me teknologji informative që shpresojmë se do të jetë ndihmesë e madhe për kompanitë e këtij sektori.

Telegrafi: Pse tek ne nuk po vijnë të investojnë kompani të fuqishme ndërkombëtare?
Bajrami:
Sa i përket investimeve të huaja direkte në vendin tonë, sipas të dhënave nga BQK, për periudhën janar – shtator 2015 janë mbi 260 milionë euro, që paraqet një rritje të konsiderueshme krahasuar me 3 vitet e fundit 2012-2014. Pra mund të themi se viti 2015 ka shënuar trend pozitiv dhe inkurajues sa i përket rritjes së investimeve të huaja në vend. Si konfirmim i këtij trendi, shërben e dhëna se gjatë këtij viti janë regjistruar 428 biznese me pronarë të huaj, përderisa vitin e kaluar ky numër ishte vetëm 278.

Sa i përket kompanive të mëdha ndërkombëtare, vlen të përmendet projekti për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese – Termocentrali “Kosova e Re”, i cili do të sjellë një kompani të fuqishme amerikane siç është “Contour Global” dhe projekti i Brezovicës. Këto projekte shënojnë investimet më të mëdha në vendin tonë që nga paslufta, dhe shpresojmë shumë se përmes reformave dhe politikave nxitëse, në të cilat ne si qeveri po punojmë pa ndërprerë, periudha vijuese do të pasohet me rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte duke gjeneruar rritje ekonomike dhe hapje të vendeve të punës. Një hap tjetër i rëndësishëm të cilin e kemi ndërmarrë dhe që do të ndikojë dukshëm në tërheqjen e investimeve të huaja është Ligji për Investime Strategjike të cilin e kemi sponzoruar ne si MTI. Ligji është miratuar në Qeveri dhe tani është proceduar në Kuvend. Ky ligj do të eliminojë një varg barrierash dhe pengesash me të cilat janë ballafaquar investitorët e mëdhenj në të shkuarën dhe do t’ua mundësojë atyre që procesin e investimit të kapitalit të tyre në Kosovë ta realizojnë pa barriera administrative dhe vonesa kohore.

Telegrafi: Sa i keni informuar bizneset për rëndësinë e MSA-së, kur dihet se do të kenë konkurrencë më të madhe?
Bajrami:
Një nga sukseset e arritura gjatë vitit që e lamë pas është nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian, që shënon një moment tejet të rëndësishëm për Kosovën, duke e ditur se kjo është marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në. Pjesa dërmuese e kësaj marrëveshje ka të bëjë me çështje tregtare, dhe MTI, gjegjësisht Departamenti për Tregti është i përkushtuar në punën e tij rreth implementimit të suksesshëm të saj.
Përmes grupeve punuese të politikës tregtare janë njoftuar bizneset rreth përfitimeve dhe obligimeve që dalin nga MSA, si dhe ka pasur edhe takime individuale me bizneset e Kosovës. Po ashtu, përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE) dhe mekanizmave të saj është bërë njoftimi i bizneseve rreth MSA-së. Kjo praktikë do të vazhdojë me intensitete dhe gjatë vitit 2016. MTI ka punuar ngushtë me NVM-të duke thelluar dialogun e përbashkët me to.

Në kuadër të Ditëve të Biznesit të Vogël, kemi realizuar nëntë konferenca informuese me bizneset (NVM-të) në 7 rajone të Kosovës, si dhe në nivel kombëtar, ku janë diskutuar çështje konkrete që kanë të bëjnë me zhvillimin e sektorit privat, shërbimet që ofrohen nga Qeveria dhe donatorët, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel lokal, si dhe projektet e donatorëve për zhvillimin e sektorit privat. Qëllimi ynë është që përmes mbështetjes së ndërmarrjeve të kontribuojmë në fuqizimin e tyre në mënyrë që ato të jenë konkurruese në tregjet rajonale dhe ato evropiane, dhe kjo do ta forcojë pozitën e tyre sidomos tash pas nënshkrimit të MSA-së.

Mbyllem 21 pompa të naftës

Telegrafi: Çfarë është duke ndodhur me procesin e projektit të Brezovicës së re. Kur do të fillojë të ndërtohet dhe sa do të jetë investimi dhe numri i të punësuarve?
Bajrami:
Komiteti Drejtues Ndërministror për Projektin Zhvillimor të Kompleksit Turistik të Brezovicës ka vendosur që të zgjas afatin e Periudhës se Tranzicionit për përmbushjen e kushteve kontraktuale deri më 31 maj 2016. Ky vendim pasoi kërkesën e Partnerit Privat, Brezovica Resort L.L.C si palë nënshkruese e Kontratës së PPP-së me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Hyrja në fuqi e vazhdimit të Kontratës është konfirmuar pas përmbushjes së kushteve që Komiteti Drejtues Ndër-ministror për Projektin Zhvillimor të Kompleksit Turistik të Brezovicës i kishte vënë Partnerit Privat. Sipas kërkesës së Komitetit Drejtues Ndër-ministror, Partneri Privat ka përmbushur obligimin për dyfishimin e garancionit për Sigurim të Tenderit dhe ka konfirmuar se do të dorëzojë raporte mujore me shkrim në lidhje me progresin e arritur në plotësimin e parakushteve. Projekti i Brezovicës parasheh investim prej 410 milionë euro, ku 165 milionë euro në 3 vitet e para, dhe punësimin e 3000 punëtorëve të rinj.

Telegrafi: Çfarë është bërë gjatë vitit 2015 sa i përket kontrollit të cilësisë së naftës sepse shpesh flitet se ka karburantetjanë jo cilësore?
Bajrami: Sa i përket rregullimit të tregut të brendshëm, kemi shënuar rezultate të larta gjatë këtij viti;është bërë regjistrimi me GPS i të gjitha pikave shitëse të karburanteve në vend. Është arritur rezultat i lartë në formalizimin e pikave shitëse të karburanteve: numri i pikave të shitjes të licencuara është rritur në 522 sosh nga 377 sa ishin në fund të vitit 2014. Po ashtu, numri i pikave të kalibruara është 522. MTI nëpërmjet Inspektoratit të Tregut ka bërë inspektime të vazhdueshme për kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës. Aktualisht, Inspektorati i Tregut këtë detyrë e ushtron nëpërmjet trupave të autorizuara dhe laboratorëve të akredituar dhe MTI-ja po punon në rritjen e numrit të kontrolleve të cilësisë së naftës dhe të produkteve të saj. Janë rritur ndjeshëm kontrollimet e jashtëzakonshme, nga 7 në 47 kontrollime. Të gjitha këto veprime kanë ndikuar në ngritjen e kontrollit dhe të cilësisë së naftës në tregon kosovar. MTI tani është në proces të furnizimit me një laborator mobil ku presim që në vitin 2016 të rrisim dukshëm kontrollin e cilësisë së karburanteve të naftës.

Telegrafi: A është mbyllur ndonjë pompë e derivateve gjatë këtij viti?
Bajrami:
Gjatë vitit 2015 janë mbyllë gjithsej 21 pika të karburanteve që kanë qenë të palicencuara të cilat mandej me plotësimin e kushteve janë rihapëpërsëri. Qëllimi primar i aktivitetit të Inspektoratit të Tregut ka qenë dhe është vetëdijesimi i bizneseve për të respektuar infrastrukturën ligjore dhe për të pasur një konkurrencë të drejtë mes bizneseve. Dhe si rezultat i kësaj pune, është rritur ndjeshëm numri i pikave shitëse të karburanteve që janë licencuar, ashtu siç u përmend më lart. Kjo tregon se aksionet e Inspektoratit po i arrijnë rezultatet të cilat i ka parashikuar, sepse bizneset kanë filluar të vetëdijesohen me faktin se nuk mund të përfitojnë pa i respektuar procedurat ligjore.

Telegrafi: Cili do të jetë fokusi i MTI-së gjatë vitit 2016?
Bajrami:
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojë me përkushtim dhe intensitet të lartë punën e saj në zbatimin e programit qeverisës 2015-2018. Do të vazhdohet me reformat e nisura nga Qeveria e Kosovës të cilat po ndikojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së të bërit biznes, ku përveç përfitimeve tjera të cilat u përmendën më lart, po ulen edhe kostot operative të ndërmarrjeve duke ua mundësuar atyre të jenë më konkurruese në raport me bizneset nga rajoni dhe më gjerë. Do të punohet në finalizimin e projektit për unifikimin e numrit të biznesit që nënkupton që numri i regjistrimit të biznesit është i njëjtë me numër fiskal dhe çdo numër tjetër dhe do të shërbejë si numër identifikues i biznesit. MTI-ja do të ofroj ndihmë financiare dhe teknike për bizneset private në drejtim të përmirësimit të cilësisë (zbatimit të standardeve përkatëse) së prodhimit/shërbimit dhe zgjerimit të kapaciteteve prodhuese dhe shërbyese. Do të vazhdojmë dialogun me komunitetin e biznesit duke dëgjuar dhe adresuar me vëmendje shqetësimet e tyre, si dhe duke u angazhuar edhe në uljen apo eliminimin e burokracisë. Ne do të punojmë me përkushtim edhe në shumë fusha tjera, ku përfshihen: përmirësimi i mëtejmë i legjislacionit, ulja e taksave, rritja e nivelit të fiskalizimit të bizneseve dhe ulja e ekonomisë joformale duke qenë përherë transparent për të gjitha aktivitetet tona në përputhje me legjislacionin në fuqi. MTI do të angazhohet në promovimin dhe avancimin e produkteve vendore, promovimin e vendit për investime dhe të avokojë për sektorin privat në të gjitha nivelet. /Telegrafi/