Deputetja nga Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, ka reaguar ndaj mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që sot nuk kaloi pa trazira.
Bajrami përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk ka demokraci në atë parti politike, nuk ka dyshuar asnjëherë, por pse janë kaq të padurueshme ndaj politikaneve femra nuk e ka besuar.
Shkrimi i plotë i Bajramit në Facebook:
KRIZË DEMOKRATIKE NË PARTITË TONA!
Përzënia e dy veprimtareve politike nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, konfirmoi edhe një herë se në atë parti nuk ka demokraci. Në LDK deri në Kuvendin e karrigeve kishte një demokraci farse. Nga atëherë e deri më sot jo pak herë është treguar se demokracia nuk ka vend në këtë parti politike. Bile kjo parti është bërë mostër edhe për PDK-në të cilat janë bërë si vëllezër siamez jo vetëm në politikë, por edhe në qeverisje.
Se nuk ka demokraci në atë parti politike, nuk kam dyshuar asnjëherë, por pse janë kaq të padurueshme ndaj politikaneve femra nuk e kam besuar. Sikur të kishte liri demokratike e mendim të lirë, Forumi i Gruas se LDK-së do të duhej të reagonte fuqishëm, për faktin se “burrat” e LDK-së po e tregojnë fuqinë mashkullore, ndaj dy veprimtarëve të fuqishme siç janë: Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla.
Në një diskriminim të tillë gjinor, do të duhej të reagonin të gjitha grat e angazhuara në politikë, përfshirë edhe Rrjetin e Grave të Kosovës.
Gruaja e Nismës për Kosovën si parti e orientimit socialdemokrat vihet në mbrojtje të grave politike dhe ju bënë thirrje që të rreshtohen aty ku ka demokraci e progres.