Site icon Telegrafi

​Bajrami i kundërpërgjigjet Bislimit: Masat e BE dëmtuan rëndë Kosovën

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deklarimeve të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, duke thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian e kanë dëmtuar tej mase Kosovën.

Ajo tha se janë rreth 300 milionë euro që janë bllokuar vendit nga fondet e Bashkimit Evropian (BE).

“Masat e BE-së e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Republikës së Kosovës. Në fakt janë indikacion që janë thyer urat e aleancave të cilat më shumë sesa tridhjetë vite qytetarët e Kosovës dhe veçanti veprimtarët e LDK-së kanë punuar për to. Përveç dëmtimit të imazhin ndërkombëtar ka dëme të jashtëzakonshme financiare”.

“Ne kemi një listë të projekteve që na janë dorëzuar nga donatorët kryesor në Kosovë dhe vetëm në sektorin e trajtimit të ujërave të zeza dhe mbeturinat janë rreth 293 milionë euro-projekte që ka një vit që janë të bllokuara. Këto janë fonde të IPA-së, fonde të Ballkanit Perëndimor dhe të donatorëve të tjerë. Konsideroj se është një dëm i madh që po i bëhet Kosovës”, tha ajo.

Duke komentuar deklarimet e zëvendëskryeministrit Bislimi se masat ndëshkuese të BE-së ia kanë vlejtur për shkak të forcimit të sovranitetit në veri, nënkryetarja Bajrami tha se thyerja e aleancave me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës nuk ka asnjë çmim që vlen dhe se situata në veri veçse ka degraduar më shumë.

“Unë besoj se ia kanë vlejtur vetëm për zotëri Bislimin, ndërsa po t’i pyesni qytetarët s’ka asnjë çmim që ia vlen. Në fakt situata në veri nuk është përmirësuar, ka degradim të situatës në veri”, tha Bajrami para mbledhjes me ekspertët e shëndetësisë të LDK-së.

Exit mobile version