Telegrafi

Bajrami: Kosova drejt anëtarësimit në OBT

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami mori pjesë në konferencën përmbyllëse të Projektit të BE-së për Politikat Tregtare, që ka filluar katër vjet më parë dhe që do të përfundojë gjatë javës së ardhshme. Ky projekt ka mbështetur Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në zbatimin e suksesshëm të politikave tregtare të Kosovë.

Ministrja Bajrami theksoi se MTI-ja ka përgjegjësinë kryesore për përgatitjen dhe zbatimin e politikës tregtare e cila kryesisht përcakton se cilat instrumente specifike nevojiten për të ndikuar shkëmbimet e mallrave dhe shërbimeve midis vendit tonë dhe pjesës tjetër të botës, raporton Telegrafi.

Ajo shtoi se MTI-ja ka po ashtu përgjegjësinë për integrimin ekonomik ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe për këtë qëllim angazhohet edhe në negocimin e një sërë marrëveshjesh tregtare të cilat konsiderohen shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

“Në vitin 2013 Kosova ka përfunduar negociatat e rëndësishme tregtare me Bashkimin Evropian duke filluar një kapitull të ri në marrëdhëniet tregtare në mes Kosovës dhe BE-së përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila do të fillojë të zbatohet së shpejti. Kosova ka negociuar edhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Turqinë dhe po bën përgatitjet për të ecur në drejtim të anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë. Aktualisht po zhvillohen negociatat në kuadër të CEFTA-s për liberalizim të tregtisë së shërbimeve, e cila do të hapë tregje të reja shumë të rëndësishme për bizneset kosovare”, pohoi ajo.

Bajrami shtoi se përpjekjet e Projektit për Politikë Tregtare i financuar nga BE-ja për të rritur hapjen tonë tregtare dhe qasjen në tregjet e jashtme ishin më se të domosdoshme. “Më lejoni t’ju rikujtojë se vendi ynë, Republika e Kosovës, është një ekonomi e hapur. Prandaj, për vendet si Kosova, është qenësore të vendosin lidhje të forta ekonomike dhe tregtare me vendet e treta dhe në këtë kontekst politika dhe negociatat tregtare do të luajnë rol të rëndësishëm në vendosjen e atyre lidhjeve”, potencoi ministrja Bajrami.

Po ashtu, ajo ritheksoi se qasja së tepërmi liberale, në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e CEFTA-s, i ka dëmtuar një numër biznesesh të Kosovës, të cilat në atë kohë kanë qenë akoma në një stad fillestar të zhvillimit.

“Më vjen mirë që falë Projektit, Departamenti i Tregtisë po negocion me kompetencë të plotë, në interes të bizneseve kosovare – tregtinë e shërbimeve. Projekti ka dhënë kontributin e tij në çështjet e rëndësisë madhore për politikën tregtare, siç ishte ndihma që i është ofruar Departamentit të Tregtisë në përgatitjen për negociatat tregtare dhe për t’u integruar më tej në ekonomitë e gjera evropiane dhe globale dhe me theks të veçantë negocimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ai ka ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve të stafit për të kryer analiza të avancuara ekonomike, për të formuluar politikat tregtare dhe për të zhvilluar negociata ndërkombëtare; për të përgatitur dokumente analitike dhe dokumente për politika, të cilat janë shfrytëzuar për vendimmarrje brenda MTI-së, por edhe nga institucionet e tjera shtetërore në vend”, tha ministrja Bajrami. /Telegrafi/