Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj zërave që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje se me LDK-në nuk mund ta negociojnë postin e Presidentit të vendit, duke thënë se askush nuk mund ta kushtëzojë partinë e saj që ta propozojë kandidatin për të parin e vendit.
Reagimi i deputetes Bajrami vjen pas një postimi në Facebook të deputetes së LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila ka thëne se mund të falsin dhe për presidentin, “madje jemi të interesuar të punojmë seriozisht në gjetjen e një kandidati ose kandidateje të denjë, konsensuale e që paraqet unitetin e popullit, ashtu si e kërkon kushtetuta… Me mirëkuptim, me seriozitet e dashuri për vendit, ndryshe duhet të kthehemi dhe një herë tek sovran”.
Deputetja Bajrami ka thënë se “kushtëzimi i Vetëvendosjes se nuk e pranojmë Presidentin nga LDK-ja është i papranueshëm. Kushtëzime të tilla s’mund të vendosin partitë që s’kanë fituar 51 për qind të votave”.
Postimi i plotë i Bajramit:
“LDK-në s’mund ta kushtëzojnë askush që mos ta propozojë Presidentin.
Propagandën dhe luftën speciale duhet ta ndalë Vetëvendosje nëse njëmend ka vendosur të ndërtojë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. LDK po punon për ndërtimin e një Qeverie që do të ofrojë zgjidhje për secilin problem të qytetarëve. E jo Qeveri e cila rrëzohet pas një viti. Qeveri e cila nuk e përfundon mandatin. T’i lëmë deklaratat e të merremi vesh para se të prishet çdo urë bashkëpunimi. Kushtëzimi i Vetëvendosjes se nuk e pranojmë Presidentin nga LDK-ja është i papranueshëm. Kushtëzime të tilla s’mund të vendosin partitë që s’kanë fituar 51 për qind të votave”, ka shkruar Bajrami.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdojnë takimet për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por edhe pas disa takimeve të liderëve të dy subjekteve politike nuk është arritur marrëveshja.
Takimi i së shtunës mes liderit të LVV, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, pritej të rezultojë me një marrëveshje koalicioni qeverisës, por doli se këto dy subjekte politike nuk po mund të pajtohen rreth ndarjes së kulaçit të pushtetit. E, çështja për të cilën duket se assesi s’po gjejnë kompromis është posti i Presidentit të vendit.
Kjo ka bërë që të shtohen zërat dhe deklarimet se nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 26 dhjetor, dita kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, atëherë vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje. /Telegrafi/