Telegrafi

Bajrami ka filluar stërvitjet me Shqipërinë, i gatshëm për të debutuar ndaj Hungarisë

Nedim Bajrami më në fund është një futbollist i Kombëtares së Shqipërisë.

Kuqezinjtë kanë fituar gjyqin me FIFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), për t’i marrë shërbimet e mesfushorit tv talentuar.

Futbollisti 22-vjeçar që po shkëlqen me fanellën e Empolit në Itali, u stërvit me kuqezinjtë në muajin mars, por pas lejes zyrtare për të veshur fanellën e Shqipërisë, iu ribashkua në stërvitje grupit të drejtuar nga trajneri Edi Reja.

Në një video-mesazh të shkurtër për faqen e Federatës Shqiptare të Futbollit, Bajrami ka zbuluar se ndihet shumë mirë dhe i lumtur që do të veshë fanellën e Shqipërisë, teksa ka pasur edhe një ftesë për tifozët, të cilëve u ka lënë takim në “Elbasan Arena”.

Ish-anëtari i skuadrës zvicerane Grasshoppers pritet të debutoj me fanellën e Kombëtares ditën e diel në përballje me Hungarinë. /Telegrafi/