Site icon Telegrafi

Bajrami: Gjatë mandatit të Kurtit, çmimi i rrymës është ngritur dy herë – kjo ulje prej vetëm 8% nuk do të ndihet nga konsumatorët

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë ka miratuar të martën tarifat e reja të energjisë elektrike.

Vendimi i ri parashikon lirim për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë.

Megjithatë, vendimi ka nxitur reagime.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka shprehur pakënaqësi me këtë vendim, duke vënë theksin në rritjet e mëdha të çmimit të energjisë elektrike që kanë ndodhur në tre vitet e fundit.

Sipas Bajramit, çmimi i energjisë elektrike është rritur për më shumë se 100% dhe kjo ulje prej vetëm 8% nuk do të ndihet nga konsumatorët.

Ajo thekson se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, me përkrahjen e Vetëvendosjes, ZRRE ka ngritur çmimin e energjisë elektrike dy herë.

Lexo po ashtu Lirohet për 8 për qind çmimi i rrymës për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë   

“Herën e parë, çmimi për konsumin familjar është ngritur për 104% në tarifën e lartë dhe 85% në tarifën e ulët për shpenzimet mbi 800 KWh. Më pas, rritja e dytë ka prekur të gjithë shpenzuesit me një shtim prej 15%,” tha Bajrami.

Deputetja kritikon më tej se pavarësisht rritjeve të mëdha, ulja aktuale do të jetë e pamjaftueshme për të kompensuar kostot e larta që kanë qenë të prezente deri tani, duke shtuar se arsyet që janë përdorur për rritjen e mëparshme të çmimeve sot nuk ekzistojnë më.

ZRRE-ja ka thënë se do të ulë për 8 për qind tarifat për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë, që nënkupton se nga 14.45 centë për kilovat, ata do të paguajnë 13.29 centë për tarifën e ditës, dhe nga 6.81 centë në 6.26 centë për tarifën e natës.

Tarifa e natës – më e lirë – vlen në orarin 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit./Telegrafi/

Exit mobile version