Site icon Telegrafi

Bajrami: E pavërteta e Kurtit që peshon 29 mijë vende pune

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka hedhur në dyshim pretendimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti mbi krijimin e 87 mijë vendeve të reja të punës.

Bajrami ka theksuar se Kurti nuk u shpreh fare rreth dështimit për të anëtarësuar Kosovën në Këshillin e Evropës dhe, sipas saj, tani shfaqet me pretendime për sukses në fushën e punësimit, të cilat ajo i quan “një e pavërtetë e madhe.”

Sipas të dhënave që Bajrami ka sjellë nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), numri i vendeve të punës është rritur nga 357,161 në vitin 2020 në rreth 415,415 sot, që nënkupton një rritje prej 58 mijë vendeve të punës – shumë më pak nga sa Kurti pretendon. Bajrami argumenton se këto statistika nuk mbulohen dot nga “dezinformuesit qeveritarë.”

Duke vazhduar kritikën e saj, Bajrami sfidon Qeverinë për rolin e saj në klimën e biznesit.

Ajo pyet se çfarë ka bërë qeveria për të përmirësuar këtë klimë, dhe liston një sërë veprimesh apo mungesë veprimesh që, sipas saj, kanë dëmtuar mjedisin e biznesit në Kosovë duke përfshirë deklaratat e Kurtit në mediat ndërkombëtare, masat ndëshkuese të BE-së, ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, inflacionin, dhe mungesën e investimeve kapitale.

“Ne ju jemi mirënjohës bizneseve që po punojnë shumë e po kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës. Kjo Qeveri mundet të përmirësojë klimën e bizneseve vetëm nën dorëheqjen e saj.”

Bajrami theksoi nevojën për një qasje më të mirë dhe më të përgjegjshme nga qeveria.

Dokumentet dhe grafiket e përdorura nga Bajrami për të mbështetur argumentet e saj janë bashkangjitur më poshtë në fotot nga ATK dhe Trusti i Kursimeve Pensionale.

Exit mobile version