Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, së bashku me një delegacion të Republikës së Kosovës po marrin pjesë në konferencën e 25-të të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në konferencë, ministrja Bajrami ka biseduar me përfaqësues të BERZH-it lidhur me projektet rrugore dhe hekurudhore që do të financohen nga ky institucion, si dhe për mundësinë e financimeve të reja në këtë fushë.
Siç thuhet në komunikatë, në këtë konferencë po marrin pjesë delegacione të larta nga qeveritë e vendeve anëtare të BERZH-it dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.
“Në margjina të konferencës, dje më 10 maj 2016, ministrja Bajrami zhvilloi takime bilaterale me drejtoren e Sektorit të Transportit të BERZH-it, Sue Barret, me drejtorin e Grupit të Ballkanit Perëndimor për Financimin e Institucioneve pranë BERZH-it, Hennry Russell, me drejtoren e Sektorit për Financimin dhe Zhvillimin e NVM-ve, Charlotte Ruhe, dhe me drejtorin për rajonin e Ballkanit Perëndimor në BERZH, Holger Muent. Po ashtu ministrja Bajrami takoi edhe drejtorin për Evropë dhe Lindje të Mesme të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Yamanaka Shinichi”, thuhet në komunikatë.
Me përfaqësuesit e BERZH-it, ministrja Bajrami bisedoi lidhur me projektet rrugore dhe hekurudhore të cilat do të financohen nga ana e BERZH-it, si dhe për mundësitë e financimit nga BERZH të projekteve të reja për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve, rehabilitimin dhe ndërtimin e linjave hekurudhore, financimin e ndërtimit të infrastrukturës fizike të zonave ekonomike, etj.
Gjithashtu, në këto takime u bisedua për gjetjen e formave dhe mundësive nëpërmjet të cilave BERZH mund të përkrah Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive si dhe ofrimin e mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.
Ndërsa, në takimin e mbajtur me drejtorin për Evropë dhe Lindje të Mesme të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar u diskua për thellimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar me qëllim të gjetjes së formave për përkrahjen dhe financimin e projekteve për zhvillim ekonomik në Kosovë nga ana Agjencisë Japoneze për Bashkë punim Ndërkombëtar.