Telegrafi

Bajrami: Buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të Pagave, s’ka as rritje të pensioneve

Foto: Arkiv

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se buxheti për vitin 2023 nuk parasheh zbatimin e Ligjit të Pagave.

Bajrami me anë të një shkrimi në Facebook ka theksuar se nuk do të ketë as rritje të pensioneve.

“Buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të Pagave, s’parasheh as rritje pensionesh. Kur Kosova po përballet me inflacion, Qeveria e Kosovës ka propozuar ‘buxhetin më të madh në histori’, ku nuk përfshinë rritje të pensioneve. Nuk ka paraparë as kosto për zbatimin e Ligjit të Pagave. Pra, nuk ka paraparë rritje pagash, nuk ka paraparë as indeksim të pensioneve dhe pagave për normën e inflacionit”, shkruan Bajrami, përcjell Telegrafi.

Ish-ministrja e Financave thekson se ka rritje të inflacionit dhe se Qeveria e Kosovës nuk ka plan për ta përballuar këtë situatë.

“Inflacioni është 12.7 për qind. Për shportën bazë të konsumatorit rritja ka kaluar 50 për qindëshin. Më së shumti nga inflacioni po preken familjet pa të ardhura dhe ato me të ardhura të ulëta. Në gjithë këtë situatë, Qeveria s’ka asnjë plan. Ndoshta, kjo Qeveri ka plan të ikë sepse deri më tash s’po shohim as hapa minimal për t’u përballur me këtë situatë të rënduar”, thekson ajo.

Sipas Bajramit, partia në pushtet dhe krejt Qeveria janë kurthuar rreth temës së targave dhe se po vazhdojnë të punojnë në video propaganduese.

“Partia në pushtet dhe komplet Qeveria janë kurthuar në temën e targave. Kanë shndërruar dialogun me Serbinë në temë qendrore. Konfrontimin me SHBA-në dhe BE-në e kanë bërë përditshmëri. Dhe, s’kanë asnjë zgjidhje për ekonomi, s’kanë zgjidhje për arsim, s’kanë zgjidhje as për shëndetësi. Ndoshta, partia në pushtet dhe komplet Qeveria po punojnë në video propaganduese se si ‘Kosova po bëhet si Kroacia’?”, përfundon Bajrami. /Telegrafi/