Bashkimi ka shënuar fitore në ndeshjen e parë finale në kuadër të serisë ‘play-off’ të IP Superligës së Kosovës në basketboll.
Prizrenasit kanë triumfuar si mysafir në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve kundër Sigal Prishtinës me rezultat 84-81.
Pas takimit për Telegrafin ka folur zyrtari klubit prizrenas, Shpend Bajrami, i cili i ka vlerësuar lart kundërshtarët, por ka thënë se skuadra e tij me meritë triumfoi ndaj kryeqytetasve.
“Prishtina tregoi lojë të mirë. Jo rastësisht është në finale. Por, ne dominuam gjatë gjithë ndeshjes dhe e merituam fitoren. Besoj se do të triumfojmë edhe në takimin e dytë”, tha Bajrami.
Ai i ka ftuar të gjithë prizrenasit dhe tifozët, ‘Arpagjik’t’, që të shkojnë në palestër për ta mbështetur skuadrën e tyre.
“Bashkimi më shumë se kurrë ka nevojë për Arpagjk’t. Ftoj gjithë prizrenasit të na ndihmojnë në takimin e dytë”, u shpreh Bajrami.
Ndryshe, takimi i dytë i finales së serisë së ‘play-off’ zhvillohet të mërkurën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Kujtojmë se titullin e kampionit të Kosovës e fiton skuadra që arrin tri fitore. /Telegrafi/