Muharrem Jashari është futbollisti i radhës që ftohet nga Përfaqësuesja e Kosovës.
Mesfushori i Dritës ka pasur paraqitje shumë të mira në muajt e fundit, si me Trepçën ’89 edicionin e kaluar ashtu edhe me Dritën këtë vit.
Duke marrë parasysh mungesat për shkak të kartonëve dhe lëndimeve, trajneri Bernard Challandes ka vendosur ta ftojë Jasharin për këtë sfidë.
Telegrafi ka kontaktuar menaxherin e Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shalën në lidhje me ftesën që i është bërë Jasharit.
“Trajneri Bernard Challandes e ka përcjellë që një kohë të gjatë Muharrem Jasharin, që nga edicioni i kaluar kur ai ishte pjesë e Trepçës ’89”.
“Jashari ka qenë pjesë e Kosovës edhe në ndeshjet miqësore në Turqi ku Challandes e ka parë nga afër, por trajneri i ka shikuar edhe ndeshjet e Dritës në garat evropiane ku Muharremi ishte më i miri”.
“Gjithashtu edhe takimin e fundit mes Dritës dhe Llapit, Challandes e ka parë nga afër dhe kjo ftesë për Jasharin ka ardhur falë paraqitjeve të mira të tij”, ka deklaruar Shala.
Mesfushori mitrovicas i Dritës është njëri nga më të mirët në elitën e futbollit kosovar.
Me ftesën e tij, Jashari bëhet futbollisti i dytë që ftohet nga Superliga e Kosovës, pas mbrojtësit të djathtë të Ballkanit, Armend Thaqit. /Telegrafi/