Telegrafi

Bajram Jashanica nuk mund të luajë futboll deri në vitin 2020

(Foto: Getty Images)

Qendërmbrojtësi i Skënderbeut, Bajram Jashanica, është pezulluar nga futbolli deri në vitin 2020. Futbollisti që e ka përfaqësuar Kosovën shpresonte për një dënim më të vogël, mirëpo atij i është bërë e ditur se nuk mund të luajë në dy vitet e ardhshme.

Jashanica rezultoi pozitiv në testin anti-doping pas ndeshjes kundër Young Boys në Europa League, ashtu që institucioni më i lartë i futbollit evropian nuk e kursyer aspak duke i dhënë dënimin më të rëndë.

Përdorimi i substancave të ndaluara është i patolerueshëm, ashtu që 27-vjeçarit i ndalohet të jetë pjesë e futbollit profesionist në kampionate që organizohen FIFA apo UEFA.

(Foto: Getty Images)

Më poshtë deklarata e plotë për shtyp e Skënderbeut mbi çështjen Jashanica

Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi lënien në fuqi të masës disiplinore “pezullim nga aktiviteti” për një periudhë dyvjeçare për lojtarin e KF Skënderbeut, Bajram Jashanica.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Bajram Jashinicën

Pavarësisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna në seancë gjyqësorë nga ana e lojtarit dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen, organi juridik vendosi mospranimin e kërkesës të paraqitur nga Bajram Jashanica për uljen e sanksionit.

Bëjmë me dije se aktualisht, palët janë në pritje për disponimin nga ana e Komisionit të Apelit të UEFA-s të vendimit integral, i cili do të ankimohet në CAS.

(Foto: Getty Images)

KF Skënderbeu i ka ofruar lojtarit të gjithë mbështetjen e mundshme gjatë kësaj periudhe të vështirë për të dhe beson se masa disiplinore është disproporcionale me rrethanat e ngjarjes dhe me shkallën e përgjegjësisë të Bajram Jashanica.

Për këtë arsye, në çdo formë dhe me të gjitha mjetet në dispozicion, do të kërkojmë vendosjen e një mase disiplinore më të ulët, për garantimin e vijueshmerisë së karrierës të lojtarit tonë.

Zyra për Shtyp,

KF Skënderbeu

/Telegrafi/