Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën Bajram Ajeti, i cili gjatë ditës së sotme ka folur për shkeljet ligjore në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Financave Avdullah Hoti, si dhe ndaj asaj të zyrës së Kryeparlamentarit Kadri Veseli, të cilët demantuan deklaratën e tij.
Ai në një prononcim për Gazetën Blic, ka thënë se demantimet e bëra nga ana e tyre, nuk qëndrojnë dhe nuk janë të bazuara.
“Unë nuk e përcolla, por me sa më thanë, këta të financave janë thirrur se gjoja këtë gjë e kanë kërkuar të huajt. Domethënë, kjo nuk qëndron. E dyta, këta të kuvendit e kanë pranuar se amendamenti nuk është aprovuar në seancë. Unë mendoj se janë të pabazuara kundërshtimet e tyre”, ka deklaruar Ajeti, për Gazetën Blic.
Tutje, ai ka pyetur se si mund të quhen shpifje këto gjëra, kur janë të faktuara me pamje të incizuara.
“Si shpifje, kur është video e seancës për pjesën ku nuk aprovohet amandamenti 2 dhe vetëm 40 vota kanë qenë për të, e dyta është transkripti i kuvendit, ku e njëjta gjë, vërtetohet edhe kështu që nuk kanë kurrfarë arsye që ta demantojnë”, ka shtuar ai për Gazetën Blic.
Më pas, Ajeti ka thënë se ata nuk i pranojnë gabimet e veta, për këtë arsye edhe e quajnë të pavërtetë një gjë të tillë.
“Ata gabimet e veta kurrë s’i pranojnë. Se po të pranohet ajo, duhet dikush që të japë përgjegjësi për shkelje të tilla”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, sa iu takon hapave të tjerë, anëtari i Kryesisë së Nisma-s, ka thënë se nëse Avokati i Popullit nuk ndërmerr masa, atëherë mund të jetë vetë Nisma, e cila do të merret me të.
“Punonjësit e ministrisë së financave e kanë ngritur çështjen te avokati i popullit, se janë të pakënaqur me këtë. Ndërsa, ne do të shohim se a do të lëvizë apo jo avokati i popullit në këtë cështje, nëse jo, atëherë ka mundësi që të inicohet nga grupi parlamentar i Nismës: të vërtetohet se a kemi ne të drejtë apo ata”, ka theksuar Bajram Ajeti.
Sot, pas një konference për shtyp të Nisma-s, ku Ajeti foli për shkeljet ligjore (siç i quajti ai), në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ministri Hoti dhe zyra e Kadri Veselit, e kanë demantuar menjëherë këtë lajm, ku sipas zyrës së Kryeparlamentarit, këto konsideroheshin shpifje, ndërsa sipas Hotit, këto ndryshime kishin kaluar nëpër procedura të rregullta.