Telegrafi

Bajqinovci i quan pazarxhinjë të këqij Thaçin dhe Vuçiqin

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, e ka falënderuar Gjermaninë për kundërshtimin e idesë së ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bajqinovci përmes një shkrimi në Facebook thotë se nuk ka dyshim se dy pazarxhinjë të këqij si Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq, mund të futeshin lehtësisht në këto pazare të rrezikshme.

“Kjo ide, është negociuar dhe për këtë askush s’duhet të ketë dilemë. Po të mos ekzistonte si koncept në tavolinë, s’kishte pse të deklarohej edhe vet Qeveria e Parlamenti Gjerman. Ajo ide ka ekzistuar, prandaj është shqyrtuar së fundmi në Gjermani”, shkruan Bajqinovci.

Sipas tij, “shkëmbimi i territoreve me Serbinë, siç është prezantuar nga Thaçi dhe Vuçiq, mund të jetë çelës për hapjen e shumë problemeve në Ballkan nga hapja e të cilave do të rrezikohej paqja mes popujve te Ballkanit dhe kështu do të përfitonte Rusia”.

“Nuk ka dyshim se dy pazarxhinj të kqi, si Thaçi dhe Vuçiq, mund të futeshin lehtësisht në këto pazare të rrezikshme. Mirëpo, jemi të bindur se prezenca e SHBA dhe Gjermanisë (BE) në dialog, në çdo rast do të shërbente për të penguar një marrëveshje të keqe për Kosovën”, ka thënë Bajqinovci. /Telegrafi/