Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se LVV ende nuk ka marrë ndonjë vendim sa i përket ofertës së ministrit Anton Quni.
Bajqinovci ka thënë se të gjitha deklarimet tjera janë spekulime mediatike.
“Të gjitha janë spekulime mediatike: VV-ja ende nuk e ka dhënë fjalën e vet për atë që e propozoi ministri Quni”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, ministri i Mbrojtjes nga radhët e LDK-së, Anton Quni i ka dhënë edhe një mundësi kryeministrit Albin Kurti për ta hequr mocionin.
“Albin brenda orës së pauzës rishqyrtoni ofertën e LDK-së, është mundësi e mirë, unë do e bëjë të pamundurën nëse i rishikoni vendimet, pasi të merret pauza do ta takoj Isa Mustafën dhe do të bisedoj me të gjithë deputetët që ta tërheqin mocionin nëse e ktheni Veliun në punë dhe nëse ju reflektoni lidhur me taksën e cila është kusht nga komuniteti ndërkombëtar”, deklaroi ai. /Telegrafi/