Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka reaguar pas keqpërdorimit të dy milionë eurove në Thesarin e Shtetit të cilat janë transferuar te një operator ekonomik.
Bajqinovci ka pohuar se kryeministri Hoti në pikë të ditës po i avullohen mbi dy milionë euro nga thesari i shtetit, transmeton Telegrafi.
“Avdullah Hotit, në pikë të ditës po i avullohen mbi 2 milionë euro nga thesari i shtetit, këto janë para të qytetarëve të Kosovës, ndërsa në anën tjetër po ndërhyni në drejtësi dhe siguri. Nuk e di a guxojnë prokuroria dhe policia e me hetu rastin sepse i goditni me shpat institucionet kompetente. Ku po doni me paraqitë këtë rast? Kush do ta hetojë këtë rast. Jo, Haki Rugova dhe klani i tij, të lutem”, ka shkruar ai në reagimin e tij në Facebook.
Ndryshe, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka sqaruar keqpërdorimin prej 2 milionë eurove në Thesarin e Shtetit dhe janë transferuar te një operator ekonomik.
Sipas saj, janë kryer katër transaksione, ku është arrestuar dhe është suspenduar një zyrtar i ministrisë.
“Bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimte nga Thesari i Shtetit dhe janë transferuar mbi 2.1 milionë euro janë bartur në një xhirollogari të një operatori ekonomik. Janë mbi dy zyrtarë të dyshuar, njëri është arrestuar, tjetri është suspenduar. Kemi gjurmuar të gjitha transakasionet dhe jemi duke hetuar ku është transaksioni fundor. Është rast i izoluar, mjetet dhe buxheti i Kosovës është stabil. Gjithçka po gjurmohet sepse është transakasion bankar e nuk janë tërhequr, të gjitha gjurmët janë në Bankën Qendrore të Kosovës”, ka deklaruar ministrja./Telegrafi/