Kryeimam i Kosovës (BIK), Sabri Bajgora, në emisionin “Përballje” në RTV Dukagjini ka folur për rolin dhe përfshirjen e Bashkësisë Islame në procesin e deradikalizimit në burgje për luftëtarët e kthyer nga luftërat në Siri e Irak.
Bajgora thotë se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka qenë pjesë e pandarë e ekipit për përpilimin e strategjisë kombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Qëllimi ynë ka qenë që të jemi pjesë e pandashme e këtij procesi në kuptimin që huajt/luftëtarët që kthehen nga vatrat e krizës kanë nevojë për një këshillë fetare, për një bisedë me një hoxhë me një imam, apo një prift fetar në mënyrë që të reflektojmë për të ardhmen e tyre. Askush nuk është i interesuar të dënojë apo gjykojë njerëz, por si shoqëri intenca jonë është që ata të risocializohen apo të riintegrohen dhe të jenë pjesë sërish pjesë e barabartë e shoqërisë sonë”, ka deklaruar Bajgora në emisionin “Përballje”, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, imamët do të ligjërojnë nëpër burgje të Kosovës pas një marrëveshje që kishin arritur me Ministrinë e Drejtësisë.
“Ligjërimi do të jetë i ndarë në dy segmente, duke parë se në burgjet tona kemi të dënuar për vepra të ndryshme- pjesa më e madhe e ligjëratave të imamëve nëpër këto burgje do të jenë ligjërata vetëdijësuese, ligjërata që u jep një rast e hapësirë të burgosurve që ta rishikojnë të kaluarën e tyre, të pendohen dhe në mënyrë që pas daljes nga burgu të jenë pjesëtarë të barabartë të shoqërisë… Kjo do të përfshijë gamën e 90 për qind të ligjërimeve nëpër burgje, ndërkohë që një pjesë apo dhjetë për qind është një program i veçantë që do të fokusohemi në bisedat me ndonjë imam që është i burgosur, për tema të ekstremizmit fetar apo edhe të tjerë që janë duke vuajtur dënimin për këtë çështje”, tha Bajgora.
Në emision ka folur edhe Albert Berisha njëri nga ata pjesëmarrësit e luftës në Siri, që është rikthyer në Kosovë, të cilin emisioni “Përballje” e kishte intervistuar në dhjetor të vitit 2017.
Po ashtu në emision ka treguar rolin që mund te kenë imamët e Kosovës edhe imami nga Mitrovica, Ekrem Avdiu. /Telegrafi/