Telegrafi

Bahtiri shpërndan dhurata për asamblenë komunale të fëmijëve me rastin e 1 Qershorit Ditës së Fëmijëve

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me drejtorin e Arsimit, Skender Avdiu dhe drejtoreshën e Administratës së Përgjithshme, Valmire Sylejmani, sot kanë mbajtur takim me Asamblenë Komunale të Fëmijëve, në kuadër të aktiviteteve të cilat po zhvillohen për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve -1 Qershori.

Me këtë rast, në fjalën e tij kryetari Bahtiri ka uruar të gjithë nxënësit e pranishëm për festën e 1 Qershorit, ditës së tyre, duke u uruar atyre shëndet të plotë dhe suksese në rrugëtimin e tyre drejt të ardhmes.

“Para juve kam plot emocion duke marrë parasysh faktin se të moshës suaj i kam edhe nipat dhe mbesat që aktualisht ndodhen larg meje, mirëpo prezenca juaj më mbush boshllëkun që kam, andaj unë ju uroj ditën tuaj juve dhe gjithë fëmijëve tjerë me dëshirën që të keni shëndetin dhe gjithë të mirat në jetë. Ndërsa ne do të punojmë që ju të edukoheni në një frymë të re, e cila do të sjellë perspektivë më të mirë në vendin tonë”, tha kryetari Bahtiri.

Po ashtu për nder të kësaj dite të veçantë, kryetari Bahtiri ka bërë shpërndarjen e disa dhuratave simbolike për fëmijët e pranishëm në takim si shenjë nderimi për shënimin e festës së ditës së tyre.

Pas përfundimit të takimit, asambleja komunale e fëmijëve dhe shumë fëmijë tjerë të institucioneve të ndryshme parashkollore dhe shkollore të komunës së Mitrovicës, kanë shënuar sot 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke zhvilluar aktivitete të shumta të shoqëruara me balet, këngë, valle, recitale dhe aktivitete të tjera në sheshin e qytetit. /Telegrafi/