Site icon Telegrafi

Bahtiri: Qeveria pa e pyetur komunën lejoi tubimin e Mozzik, nga e hëna do ta marrim vet përsipër mbrojtjen nga COVID-19

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se Qeveria e Kosovës i ka dhënë leje këngëtarit Gramos Aliu për të mbajtur tubim në Mitrovicë, pa e pyetur komunën dhe pa një dakordim të përbashkët, prandaj ai tha se do të marrin vet përsipër mbrojtjen nga COVID-19.

Bahtiri përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria me çdo veprim po tregon që është e papërgjegjshme.

I pari i Mitrovicës tha se do të ndërmarrin masa tjera mbrojtëse nga e hëna dhe se do ta marrin vet përsipër mbrojtjen nga COVID-19, sepse sipas tij “ata që e vodhën pushtetin qendror vetëm dëme me efekte të pariparueshme po shkaktojnë”.

Lexo po ashtu Me urdhër të policisë, Mozzik ndërpren shpërndarjen e albumit në qytetet e mbushura me fansa

Ndryshe, rep-artisti me prejardhje nga Ferizaji, Gramos Aliu, i njohur si Mozzik, gjatë ditës së sotme (e shtunë) ka vendosur të shpërndajë albumin e tij në qytete të ndryshme, por ai ka bërë të ditur se ka ndërprerë aktivitetin për shkak të urdhrave të Policisë së Kosovës.

Postimi i plotë i Agim Bahtirit:

Tubimit të organizuar nga këngëtari Gramoz Aliu në Mitrovicë i është dhënë leje nga Qeveria e Kosovës pa e pyetur fare komunën dhe pa një dakordim të përbashkët. Më këtë rast janë shkelur të gjitha udhëzimet e dhëna nga institucionet shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj koronavirusit COVID-19.

Kjo Qeveri me çdo veprim të saj po tregon që është e papërgjegjshme dhe nuk i shërben jetës së qytetarëve të Kosovës.

Inspektorët komunal me vetmohim po e kryejnë punën e tyre çdo ditë, në bashkëpunim të plotë edhe me stacionin policor ne Mitrovicë, po leje të tilla të dhëna nga niveli qendror tregojnë se kjo Qeveri mbron vetëm interesa grupore dhe nuk janë të interesuar për bashkëpunim ndër-institucional në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Nga e hëna komuna e Mitrovicës do të ndërmerr veprime të reja në shërbim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, por tash do ta marrim vet përsipër mbrojtjen nga COVID-19, sepse ata që e vodhën pushtetin qendror vetëm dëme me efekte të pariparueshme po shkaktojnë.

Kam respekt për gjithë këngëtarët, por veprimi i sotëm është i papranueshëm dhe i dëmshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version