Site icon Telegrafi

Bahtiri në “luftë” me ish-luftëtarët e UÇK-së

Ngjarjet e fundit në Mitrovicë, kur 10 vetura të Komunës u demoluan nga pesë ish-luftëtarë të UÇK-së, të punësuar në parkingun e Komunës dhe kur ndërtesa e Komunës u qëllua me armë një ditë pas demolimit të veturave, kanë futur në “luftë” kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, dhe ish-luftëtarët e UÇK-së së Mitrovicës.

Veteranët e luftës, nëpërmes një reagimi dërguar medieve, kanë dënuar aktin e demolimit të veturave në parkingun e Komunës së Mitrovicës dhe kanë vlerësuar se akti është i papranueshëm për të gjithë veteranët dhe për ata që kanë derdhur mund dhe gjak për çlirimin e vendit, për të mundësuar krijimin e institucioneve shtetërore, por njëkohësisht për këtë akt fajin ia kanë hedhur kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ata thonë se deklaratat e tij pas sulmit mbi ndërtesën e Komunës, me të cilat rastin e lidh me komandantët e luftës i ka fyer ata, ndërkohë kanë kërkuar nga i pari i Mitrovicës që ta ndryshojë qëndrimin ndaj tyre, në të kundërtën nuk do të komunikojnë më me të.

Veteranët kanë thënë se me vëmendje të madhe i kanë përcjellë ngjarjet që kanë ndodhur në ditët e fundit në Mitrovicë.

“Ne konsiderojmë se si pasojë e këtyre ngjarjeve janë veprimet e pamatura të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, i cili në mënyrë të njëanshme ua ka shkëputur kontratat e punës, pa u konsultuar fare me kryesinë e OVL-së, pa u konsultuar fare me ata që e dinë më së miri gjendjen e tyre materiale. Dihet se këta punëtorë kanë pasur të vetmin burim të të ardhurash, andaj është cenuar kafshata e gojës.Ne asnjëherë nuk kërkojmë veprime të paligjshme nga institucioni, por jemi të bindur se ka pasur mundësi të gjendet zgjidhje e të mos shkaktohet revolta deri në shkallën ekstreme për veprime të tilla, të cilat nuk i duhen askujt e aq më pak qytetit të Mitrovicës, i cili ka probleme sociale, ekonomike e politike”, thonë veteranët e Mitrovicës.

Exit mobile version