Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri pas dorëzimit të peticionit për bashkimin e Mitrovicës te presidenti Hashim Thaçi tha se ka kërkuar prej tij që këtë peticion ta dërgoj në Kuvend dhe po presin që vendimi për Mitrovicën të jetë sa më i shpejtë, pasi sipas tij, qytetarët mitrovicas janë shumë të zhgënjyer.
Ai kërkoi që Kuvendi sa më parë të procedojë me këtë peticion.
“Ju e dini shumë mirë se qyteti i Mitrovicës është nda padrejtësisht dhe pa dëshirën e qytetarëve të saj, duke ditur se janë 15 mijë banorë të shpërngulur nga veriu dhe janë refugjatë në qytetin e vet”, tha Bahtiri.
Ai tha se veriu po udhëhiqet nga strukturat paralele dhe kjo situatë duhet të ndryshojë.
Duke folur për përkrahjen që ka marrë nga liderët për këtë peticion, ai tha se ka marrë përkrahje nga të gjithë liderët, me përjashtim të kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Po ja bëj me dije kryeministrit dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal se Mitrovica është e bashkuar dhe do të jetë e bashkuar. A e përkrah dikush a se përkrah është shumë pak e rëndësishme. Mitrovica do të jetë e bashkuar deri në fund”, tha Bahtiri.
“I bëj ftesë kryeministrit se këtu nuk kemi pa seriozitet, por seriozitetin më të madh dhe mos të më detyrojnë me shku ma tutje, por të shkojë në mënyrë ligjore… çdo herë marr vendim me qytetarë dhe qytetarët do t’i pyesë çka ma tutje. Por njëherë jemi në institucionet më të larta të shtetit dhe të shohim çka po më japin përgjigje”, tha ai. /Telegrafi/