Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Baerbock ka potencuar për mediat se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian duhet të ndodh sa më shpejtë, sepse Rusia dhe Kina po luftojnë për një ndikim të fortë në Ballkan.
Sipas saj, tani është koha që BE të dëshmoj kredibilitet dhe të mos i dëshpëroj vendet që plotësuan çdo reformë të sygjeruar.
“Nuk duhet të humbim më kohë në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Nuk duhet të ketë hapësirë në Ballkan që mund të ngelen fushë e hapur për ndikim nga Rusia apo aktorë të tjerë. Lidhja më e shpejtë e vendeve të Ballkanit me BE-në nuk ka të bëjë vetëm me besueshmërinë tonë gjeopolitike por me një stabilitet më të gjërë. Duhet pasur parasysh që përveç Rusisë, edhe Kina po lufton për një ndikim më të fortë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Baerbock.
Sipas saj, BE-ja është dashur t’i përmbushë premtimet e saj për negociatat e anëtarësimit me vendet e rajonit, veçanërisht për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Është në interesin tonë strategjik por është edhe çështje e sigurisë sonë. Vendet e Ballkanit Perëndimor si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, meritojnë zgjidhje të problemeve dhe kompromis që duhet ta gjejmë të gjithë së bashku”, u shpreh Baerbock.
Ajo beson se nëse BE nuk i përmbush premtimet e saj, të tjerët do të mbushin hapësirën në rajon dhe shumë të rinj që duan një “shtëpi të përbashkët evropiane” do të zhgënjehen.