Telegrafi

Babai i zhgënjyer ka shpenzuar mijëra euro dhe ka bërë mijëra kilometra që djali i tij ta shohë Ronaldon duke luajtur – por kjo nuk ka ndodhur as për të tretën herë

(Fotomontazh: The Sun)

Ëndrra e një djaloshi për ta shikuar nga tribunat heroin e tij, Cristiano Ronaldo, nuk është e realizuar as për të tretën herë, ndërsa i ka kushtuar babait të tij plot 3.250 funte (3.900 euro).

Tifozi i Manchester Unitedit, Chris Broome, ka shpenzuar mijëra euro dhe ka udhëtuar më shumë se 3.200 kilometra, në mënyrë që djali i tij, Zak, ta realizonte ëndrrën për ta shikuar nga stadiumi duke luajtur superyllin portugez.

Secilën herë që Chris (43 vjeçar) dhe Zak (12 vjeçar) vendosin të shkojnë në stadium për të ndjekur një lojë të CR7, ai nuk luan për ndonjë lëndim të papritur ose trajnerët vendosin t’i japin pushim.

Në takimin ndaj Leicesterit (Foto: The Sun)

Në vitin 2020, Broome kishte paguar 1.550 funte (1.859 euro) për ta shikuar Ronaldon te Juventusi, por asokohe, futbollisti kishte pushuar.

Në mars të këtij viti, ai shpenzoi 1.500 funte (1.798 euro) për akomodim dhe hotele që të ishte në derbin e Mancesterit, por Ronaldo mungoi për shkak të lëndimit.

Në derbin e Mançesterit (Foto: The Sun)

Dhe përkundër biletave pa pagesë (kësaj radhe i ka paguar vetëm shpenzimet tjera) për takimin e të shtunës ndërmjet Manchester Unitedit dhe Leicester Cityt, Cristiano përsëri nuk luajti.

“Më ka kushtuar sa një dorë e një këmbë. I kam premtuar Zacut se do ta dërgoj që ta shohë Ronaldon duke luajtur, prandaj do ta bëj të mundur çfarëdo që të ndodhë”, ka thënë Chris, i cili është nga qarku Somerset që ndodhet në jugperëndim të Anglisë. /Telegrafi/