Një ditë pas arrestimit të Martina Pajollarit e cila dyshohet të jetë bashkëpunëtore në vrasjen e Martin Çeços së bashku me tre të arrestuarit e tjerë, babai i viktimës ka zbardhur detaje të reja nga nata kur ndodhi vrasja.
Nevzat Çeço tregoi se djali i tij e kishte kërkuar për nuse Tina Pajollarin. Vajza e kishte refuzuar edhe pasi Martini Çeçoi përmes një mblesi të cilin babai e identifikon me emrin Xhoni, i ka paguar 2.5 milion lekë të vjetra për ti mbushur mendjen Tina Pajollarit që të martohej me të.
Natën kur ndodhi ngjarja rrëfen babai, Tina Pajollari e ka marrë Martinin në telefon duke i kërkuar që të mos e shqetësonte me justifikimin se nuk ishin në dijeni prindërit për lidhjen e tyre. Tina Pajollari më pas i tha Martinit që do e telefononte të nesërmen në orën 10 në mëngjes. Pas përfundimit të bisedës me Tina Pajollarin, Martinin e ka telefonuar një person të cilin as babai as Martini nuk e njihnin, raporton Tch.
Telefonuesi e ka kërcënuar Martinin duke i thënë që do t’i këpus buzët. Në gjendje të rënduar psikologjike, Martini i tha të atit që jeta ime mbaron këtu. Pas kësaj Martini i shqetësuar ka dalë nga shtëpia më shapkat që gjeti tek shkallët e shtëpisë. Babai e ka kërkuar gjithë natën në korijen sipër shtëpisë duke pasur frikë se mos Martini kishte varur vetën më pas ai ka kërkuar edhe tek rezervuari i fshatit, por nuk ka parë asgjë të dyshimtë.
Babai i Martin Çeços akuzon Tina Pajollarin si shkaktaren kryesore të vrasjes së djalit ndërsa pohon se tre personat e tjerë të arrestuar nga policia nuk i njihte. Nevzat Çeço pohoi më tej se Tina Pajollari i dërgonte Martinit foto të një varri me lule por ai nuk e kuptoi mesazhin e fotografive që i dërgonte Tina.
Si ndodhi vrasja?
Një histori dashurie, megjithëse e mbyllur mes një 18-vjeçareje dhe 26 vjeçarit u bë shkak për vrasjen e këtij të fundit. 26-vjeçari, Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij. Pas njoftimit Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.
Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë. Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë 3 persona të identifikuar si Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.
Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18 vjeçarja e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38 vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, Bleti Angjo. Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, kjo ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen.
38 vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij Valter dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar. /Tch/Telegrafi/