Një burrë në Kinë është dënuar nga policia pasi është kapur duke i dërguar pesë fëmijët e tij në shkollë me vetëm një motoçikletë, me të cilën lëvizte me shpejtësi të madhe nëpër rrugë.
Ai është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë të vendosura nëpër shtyllat elektrike, të cilat shfaqin momentin kur burri kishte ulur fëmijët në motoçikletë si “sardina”, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq kur është pyetur nga policia se pse e kishte bërë një gjë të tillë, ai është munduar të arsyetohet duke thënë se dëshironte të kursente paratë që ishin të dedikuara për biletat e autobusit, dhe kështu kishte vendosur që me një motoçikletë t’i dërgon në shkollë.
Policia e qytetit Jinhua ishte alarmuar kur fillimisht një qytetar u dërgoi një fotografi të këtij burri, që i kishte vendosur fëmijët ne motoçikletë sikur të ishin peshqi “sardina”.
Ajo çfarë ka tmerruar më shumë policinë, është fakti që asnjëri prej fëmijëve nuk kishte helmetë, duke rritur kështu rrezikun për aksident me fatalitet.
Ky baba i identifikuar si Lu kishte pranuar në polici se me këtë veprim kishte kursyer para. Ai fiton rreth 3,00 yuan (331 funte) në muaj duke punuar si reporter, kurse kostoja e udhëtimit me autobus u kushtonte fëmijëve në muaj 600 yuan (66 funte). Pesë fëmijët janë të moshës nga 7 deri në 13 vjeç.
Megjithatë, ai është dënuar nga policia për rrezikim të jetëve të fëmijëve dhe mosrespektim të rregullave të trafikut. Por, Lu është penduar për veprimin dhe është zotuar se nuk do ta përsërisë kurrë më. /Telegrafi/