Site icon Telegrafi

Azpilicueta vazhdon edhe një vit me Chelsean, shmang sanksionet për shkak të klauzolës në kontratë

(Foto: Instagram/cesarazpi)

Kapiteni i Chelseat, Cesar Azpilicueta, e ka vazhduar edhe për një vit kontratën – bën të ditur Talksport.

Mbrojtësi spanjoll e ka aktivizuar vazhdimin automatik të kontratës duke zhvilluar numrin e caktuar të ndeshjeve, prandaj nuk është ndikuar nga sanksionet aktuale ndaj pronarit Roman Abramovich, sipas të cilave, klubi nuk ka të drejtë t’u ofrojë lojtarëve kontrata të reja.

Ky lajm nuk është i mirë për Barcelonën që shpresonte të sigurojë shërbimet e ish-futbollistit të Marseille si lojtar të lirë gjatë verës kur duhej t’i skadonte kontrata bazë.

(Foto: Instagram/cesarazpi)

Azpilicueta u transferua në Stamford Bridge në vitin 2012 për shtatë milionë funte (8.3 milionë euro) dhe është konsideruar si një prej transferimeve të duhura.

Lexo po ashtu Chelsea përballet me një eksod të lojtarëve, pas sanksioneve nga Mbretëria e Bashkuar

Ai ka regjistruar 464 paraqitje për Chelsean deri më tani duke shënuar 16 gola dhe duke dhuruar 56 asistime.

Nga viti 2019, 32-vjeçari është kapiten i Bluve dhe e ka ngritur secilin trofe që ka qenë në dispozicion me fanellën e klubit anglez. /Telegrafi/

Exit mobile version