Telegrafi

Aziri për Ligjin për Shtetësi: Ne si koalicion e kemi kryer punën tonë

Teksti i ligjit për shtetësi është gati. Pritet që të hënën opozita shqiptare ta dorëzojë deri tek koordinatorët e grupit parlamentar të shumicës për ta parë. Elmi Aziri nga koalicioni ASH-AAA, nuk dha shumë detaje mbi ligjin për shkak se është në fazë të harmonizimit.

“Ne si koalicion e kemi kryer punën tonë, e kemi përfunduar draftin përfundimtar të propozim ligjit dhe do ta dorëzojmë tek grupi parlamentar i shumicës qeveritare”, deklaroi Aziri.

Por kryeministri Zaev tha se ligji duhet të dorëzohet në Ministrinë e Brendshme për shqyrtimin nga ana e ekspertëve.

“Qëllimi ishte që ta dorëzojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që së pari ta shohin ekspertët. Me siguri kur ata të formojnë qëndrimin e tyre, do ta dorëzojnë tek unë dhe kabineti im për ta shqyrtuar”, u shpreh Zaevi.

Aziri tha se ligji si çështje pikënisjen e ka në Kuvend dhe për këtë arsye edhe aty do të dorëzohet e pastaj pjesa tjetër është obligim i shumicës parlamentare.

“Ne si deputet e dorëzojmë në parlament në grupet e punës me të cilët kemi punuar ne. Pastaj është obligim i tyre se ku e procesojnë ato. E vërteta është se MPB është institucioni bazë ose amë i cili merret me procesimin e shtetësive dhe supozoj se edhe këtu buron deklarata e kryeministrit Zaev”, shtoi Aziri.

Aziri tha se tash në vend të tre dëshmitarëve siç e kishin propozuar ata, si dëshmi do të jenë 15 dokumente prej të cilëve qytetari mjafton ta posedojë vetëm njërin dhe do të vlejë si dëshmi për ta marrë shtetësinë.