Telegrafi

Azilkërkimi nuk është mjet për zhvillimin e Kosovës

Konferenca “Ditët Austriake-Kosovare 2015”, e moderuar nga presidenti i Asociacionit Austriak-Kosovar, Gunther Fehlinger, i ka vazhduar diskutimet në temën “Së bashku në Evropë – 20 vitet e Austrisë në BE dhe marrëdhënie austriak të Kosovës në këtë periudhë”.

Folës të shumtë, kosovarë dhe austriakë, kanë folur për përvojat dhe të dhënat e bashkëpunimit Kosovë-Austri.

Presidenti i Asociacionit Austriak-Kosovar, Gunther Fehlinger, foli për Qeverinë e re dhe fokusin e E-Qeverisjes, dhe qasjen e re të qytetarëve që do të kenë një nivel tjetër të besimit në Qeverinë e Kosovës.

Eva Michlits, konsulle e Austrisë në Kosovë, ndër të tjera u shpreh se rruga e migrimit nuk është mjet për ta zhvilluar Kosovën dhe as bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

“Azilkërkimi nuk është mjet për zhvillim ekonomik. Ne e dimë që duhet të bëhet shumë në Kosovë, por kjo qasje është imazh i keq për Kosovën dhe Austrinë, kështu që të punojmë së bashku që ta zhvillojmë Kosovën dhe mos ta shfrytëzojmë të drejtën e azilit ne Austri. Austria ka filluar një fushatë të madhe dhe ka treguar rezultate”, vijoi ajo.

Michlits tha se një bashkëpunim edhe më i mirë Austri-Kosovë mund të ndihmojë për t’i shmangur këto befasi.

Erhard Busek, president i Institutit për Rajonin e Danubit dhe Evropës Qendrore dhe ish ministër i Arsimit i Austrisë, i bëri një paraqitje të gjatë historisë së raporteve të Austrisë me Shqipërinë e me Kosovën, si dhe me gjithë rajonin e Evropës Juglindore, duke nisur nga fillimi i shekullit të kaluar dhe përgjatë gjithë këtij shekulli dhe shekullin që jemi tash.

Ai numëroi sfidat nëpër të cilat ka kaluar Austria, në periudhat e rëndësishme të historisë, por edhe qëndrimin që kanë mbajtur qytetarët, gjenerata të tëra, për t’iu bërë ballë sfidave të kohës dhe për ta zhvilluar shtetin, në një shkallë shumë të lartë dhe me shumë ndikim, siç është sot.

Duke folur për 20 vitet e Austrisë në Bashkimin Evropian, ai e quajti këtë një të arritur të madhe, e cila mund t’u shërbejë si model të tjerëve, e konkretisht Kosovës.

Ai përmendi prezencën në shtetin tonë e në rajon të Bankës Raiffeisen dhe kompanive të fuqishme austriake, dhe theksoi se fuqia ekonomike e Austrisë mbështetet me faktin se ndërmarrjet nga ky shtet e kanë shtrirë jashtë vendit aktivitetin e biznesit.

Busek theksoi se Evropa Juglindore duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Me gjithë dashurinë time për vendin e juaj, Bosnja Hercegovina është në pozitë më të keqe sesa Kosova. Por, mos e shfrytëzoni këtë që të thoni se jeni më mirë se Bosnja. Duhet të shikoni me një vizion më të qartë që të zhvilloheni dhe të bëheni më të mirët. Kjo është një sfidë shumë e madhe”, tha ndër të tjera Busek.

Në vazhdim të konferencës foli Ramadan Ilazi, i cili përmendi një varg sfidash, që nga dukuritë negative me të cilat përballen shteti dhe shoqëria, e deri te papunësia e madhe dhe problemi i migrimit ilegal, që kërkojnë një zgjidhjen që duhet të gjendjet në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare.

Christian Rupp, koordinator i Qeverisë së Austrisë për qeverisje elektronike, foli për përvojat e zhvillimit të E-Qeverisjes në Shqipëri ne Maqedoni.

“Kemi përmendur rëndësinë e kësaj qeverisjeje, që është një mundësi për të ndërtuar transparencën dhe besimin, siç ka ndodhur ne shumë vendet tjera, por kjo gjeneron edhe punë te reja”, tha ndër të tjera Rupp.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka folur për bashkëpunimin Kosovë-Austri, respektivisht nga bashkëpunimi i tij dhe i UBT-së me institucionet austriake dhe ekspertët e fushave të ndryshme, përvoja e të cilëve u përcoll edhe në Kosovë.

“Ne si UBT nuk do të ekzistonim pa këtë koncept bashkëpunimi ndërmjet Austrisë dhe Kosovës. Austria ka qenë i vetmi vend i cili ka hapur dyert tyre për të na ndihmuar. Unë kujtoj nga fillimi ndjenjën të kemi një partneritet për të na ndihmuar dhe kanë investuar shumë fonde. Në Gjermani kanë thënë se Kosova është një vend shumë i vogël, po ashtu edhe në Angli. Pra, në Austri ka pasur institucione por edhe ekspertë që na kanë ndihmuar”, theksoi ai.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami, paraqiti një varg të dhënash për fushat e bashkëpunimit Kosovë-Austri dhe për përpjekjet e institucioneve të Kosovës për zgjerimin e këtij bashkëpunimi, por edhe për zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Ajo theksoi se ekonomia e Kosovës varet nga taksat e importit dhe remitencat, ndërsa theksoi se Qeveria ka synim ta ndryshojë këtë gjendje. Sipas saj, do të ndryshohen politikat për të ndihmuar bizneset prodhuese dhe për të mbështetur në përgjithësi biznesin privat.

“Qeveria e Kosovës po punon që të krijojë kushte më të mira për bizneset ne Kosovë. Kemi përkrahjen nga donatorët, duke i përfshirë edhe ata austriakë. Unë dje u ktheva nga Austria, ku komiteti Kosovë-Austri mbajti një panair ku u prezantuan mbi 50 biznese austriake, disa prej të cilave edhe më përvojë ne rajon e edhe në Kosovë”, theksoi ministrja Bajrami. “Po punojmë kundër korrupsionit dhe po tentojmë që bizneset të kenë hapësirë dhe të gjitha kushtet për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Duam që të krijojmë një sistem i cili nuk e merr parasysh kush është kryeministër, ministër, drejtor apo çfarëdo tjetër”

Robert Wright, drejtor ekzekutiv i Raiffeisen Bank në Kosovë tha se bizneset austriake në Kosovë janë në një numër të konsiderueshëm.

“109 kompani austriake ekzistojnë në Kosovë. Gjendja e Kosovës nuk është më e mira e mundshme, ka vend për shumë përmirësime. Cila është arsyeja që dikush të investojë këtu? Nuk besoj qe do të ishte përgjigje e mirë rinia. Ne japim kredi, por kthimi i tyre është i vështirë. Ne kemi në Kosovë 450 hotele, por sa turizëm ka këtu? Të mos them fare. Kemi 1000 pompa të benzinës ku ti mund të shkosh nga Prishtina deri në Tiranë dhe të mos kesh fare nevojë për furnizim me derivate”, theksoi ai.

Vjosa Huruglica, nga Oda Austriake e Bizneseve, foli për një anketë të bërë me bizneset austriake. Sipas saj, 50 për qind thanë se situata në Kosovë nuk është e kënaqshme, deri sa 25 ishin optimistë. Për bizneset e tyre 31 për qind deklaruan se është gjendje pak më e mirë në tremujorin e parë të vitit 2015.

“Planet e bizneseve austriake janë qe të investojnë më shumë në Kosovë dhe të rritin numrin e të të punësuarve”, tha Huruglica, duke shtuar se Oda e Bizneseve Austriake në Kosovë dhe biznesmenët presin nga Qeveria e re mbrojtje të investimeve, presin që të mos vazhdohet me korrupsion dhe të ketë siguri politike.

Erhard Busek në vijim kërkoi nga ministrja Hykmete Bajrami që të tërheqin partnerë, të krijohen marrëveshje dhe të krijohet një treg i mirëfilltë.

Në margjina të ditës së dytë të konferencës janë zhvilluar edhe takime të përfaqësuesve të bizneseve nga Kosova dhe nga Austria. /Telegrafi/