Site icon Telegrafi

Azemi: Paga minimale nën 400 euro është e papranueshme

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat (SPSK) thotë se paga minimale nën 400 euro nuk do të jetë e pranuar.

Kryetari i SPSK-së, Jusuf Azemi nën një konferencë për medie ka thënë se, deri propozimi i pagës minimale prej 250 euro është e vogël.

“I kemi dy propozime nga Qeveria Kurti, i pari ishte që të ketë pagë minimale prej 350 euro dhe ai i dyti që ka ra në 250 euro. Ne e bëjmë me dije që duhet biseduar për pagën minimale. Vetëm përfaqësuesit e sektorit privat kur ta japin pëlqimin atëherë paga minimale mund ta ketë efektin e vetë, përndryshe këtë përbërje të Këshillit Ekonomik Social nuk e njohim dhe për neve pagën minimale nën 400 euro është shumë e vogël”, tha Azemi.

Po ashtu, ai ka thënë se Kosova tash po përballet me mungesë punëtorësh në të gjitha sektorët.

Lexo po ashtu Kurti: Së shpejti do të propozojmë nivelin e pagës minimale

“Ajo se çfarë është më e rënda është që në vitet e kaluara kemi pasur ikje të të rinjve pa ndonjë profesion apo që nuk kanë qenë të angazhuar diku në procesin e punës, ndërsa në vitin e punës kemi ikje të punëtorëve të profesioneve të caktuara”, theksoi ai.

Çështja e pagës minimale ka nxitur debat ditëve të fundit që kur kryeministri Albin Kurti njoftoi se së shpejti do të dilet me propozim. BSPK-ja ka thënë se kërkon pagë minimale 350 euro.

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.

Në Programin e Qeverisë së Kosovës për periudhën 2021-2025, shkruan se paga minimale do të rritet në 250 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version