Telegrafi

Azemi i LDK-së: Shteti po i lë në rrezik pjesëtarët e njësive elitare të policisë, e turpshme

Kanë vazhduar reagimet për protestën e njësive elitare të Policisë së Kosovës.

Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, në reagimin e tij ka thënë se kjo qeveri ka treguar aftësi vetëm në krijimin e pakënaqësive.

“Të pakënaqur mësuesit, mantelbardhët, minatorët, zjarrfikësit, policët e kush jo tjetër. Kërkesave të krejt këtyre, ky pushtet iu përgjigjet ose me shpërfillje e injorim ose duke tentuar t’i shtypë”.

Azemi thotë se ka ndodhur për herë të parë që njësia elitare të protestojë para institucioneve.

“Sot, para zyreve të këtij ekzekutivi protestuan edhe njësitet më elitare të Policisë së Kosovës. Për herë të parë kjo qeveri i detyroi të dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësi”, ka shkruar Azemi.

Ai thotë se zyrtarët shtetërorë krenohen me punën e tyre derisa tash po i lënë në baltë.

“Ata, me punën e guximin e të cilëve zyrtarët më të lartë të shtetit krenohen përditë. Madje, tentojnë që t’i marrin edhe meritat e tyre, edhe kur ata vënë jetën në rrezik. Por, jo edhe të ua paguajnë siç duhet e sa duhet shtesën e rrezikshmërisë. Nuk ua përmbushin kërkesën më bazike. Veç ua përkeqësuan gjendjen. Po i lënë në baltë. Po i lënë midis rrezikut. E turpshme. E papranueshme”, ka deklaruar Azemi./Telegrafi/