Site icon Telegrafi

Azemi: Deputetët po vazhdojnë luksin, kompanitë private po falimentojnë

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës thotë se kompanitë private po vazhdojnë masivisht t’i largojnë nga puna punëtorët dhe ndër të tjera ka bërë kritika për deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk votuan Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi në një konferencë për media, ka thënë se deputetët duhet të ndëshkohen kur kërkojnë votën.

“Nuk e kuptoj mosmiratimin e Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike, e them me përgjegjësi këtë mosvotim në Parlament nuk do ta kishin bërë as armiqtë më të mëdhenjtë të Kosovës. Ftojë gjithë punëtorët e sektorit privat që t’ju kthehet ky borxh parlamentarëve kur ata të kërkojnë votën tonë, por të mbajmë mend se ne kur patëm nevojë për ta ata shkuan pushime dhe bëjnë luksin e tyre. Kurse punëtorët e sektorit privat dhe kompanitë realisht janë drejt falimentimit. Shtetin e Kosovës nuk po e falimentojnë shtetet tjera por njerëzit apo mund të themi yndyra ajka që ne i kemi votuar dhe këta na kanë sjellë në gjendje që nuk do t’ia kisha dëshiruar askujt e le më shtetit të Kosovës”, tha Azemi, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë edhe se po vazhdon keqpërdorimi i Pakos Emergjente, ku sipas tij, ka shumë punëtorë të cilët janë larguar nga puna veçse kanë kërkuar nga shefat e tyre pagën.

Lexo po ashtu Rukiqi: Akterët institucional duhet ta kuptojnë që kauza e rimëkëmbjes ekonomike është kombëtare

“Kemi një kompani, ku punëtorët kanë kërkuar që pagat e tyre të kthehen, por ata në vend se të marrin mjetet kanë marrë largimin nga vendet e punës”, deklaroi Azemi.

Po ashtu, Azemi tha se punëtorët po largohen nga puna duke u zëvendësuar me punëtorët të rinj, me qëllim të ikjes nga pagesa e kontributeve.

“Po vazhdon largimi masiv i punëtorëve nga vendet e punës me arsyetim që kompanitë nuk janë duke punuar me kapacitet të plotë për shkak të pandemisë, por e keqja më e madh është se në vend të tyre punëtorëve po pranohen punëtorë të rinj me qëllim të ikjes së pagesës së kontributeve të punëtorëve që për një kohë të gjatë kanë qëndruar aty dhe ata mendojnë se me largimin e këtyre punëtorëve nga vendi i tyre të punës është në rregull”, tha ai.

Kurse, për tërheqjen e 10 përqindëshit, Azemi tha se, janë mbi 170 mijë punëtorët të sektorit privatë të cilët mund t’i tërheqin 9 deri në 10 euro.

“Në bazë të dhënave që i kemi marr ne, kjo do të ndikoj negativisht për punëtorët, pasi që mbi 170 mijë punëtorë të sektorit privat nuk kanë mundësi që t’i tërheqin më shumë se 9 euro, eventualisht 10 euro”, përfundoi Azemi. /Telegrafi/

Exit mobile version