Telegrafi

“Avullimi” i 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Labinot Grudës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Labinot Grudës i dyshuar për rastin e vjedhës së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr aktvendim dhe të pandehurit L.G i ka vazhduar masën e paraburgimit prej datës 18 janar 2021 deri me datë 17 mars 2021”, ka thënë Gashi.

Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte vazhduar paraburgimin Labinot Grudës dhe të dyshuarit tjetër, Kadri Shalës edhe për dy muaj, ku Grudës i ishte vazhduar deri më 18 janar 2021, kurse Shalës deri më 24 janar 2021.

Lexo po ashtu Keqpërdoren 2 milionë euro në Thesarin e Shtetit - policia arreston një person, dy të tjerë në arrati

Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit ndodhi në tetor të vitit 2020, ku përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ministrja tashmë në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme, ajo bëri të ditur se nga Thesari i Shtetit ishin “avulluar” më tepër se 2 milionë euro.

Pa dhënë shumë detaje ministrja tregoi se bëhej fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një Operator Ekonomik.

Në anën tjetër Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë ende detaje shtesë se çfarë ka ndodhur me procesin e hetimit për këtë rast.

Telegrafi shumë herë ju ka dërguar pyetje Prokurorisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjëherë përgjigje. /Telegrafi/