Rrjeti i OJQ-ve, AVONET ka shprehur shqetësim të thellë për siç thonë incidentin e ndodhur më 2 nëntor 2024, në Vushtrri, ku 6 të rinj (2 të rritur dhe 4 të mitur), kanë pësuar dhunë fizike nga dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
AVONET thekson se sipas informacioneve që janë raportuar, Policia kishte marrë informacion se në atë veturë ndodhej një person i kërkuar, por rezultoi se personi i kërkuar nuk ishte në atë veturë.
“Përkundër kësaj, të rinjtë kanë pësuar lëndime trupore, përfshirë lëndime në hundë, ballë dhe shpinë si rezultat i dhunës policore.
AVONET dënon ashpër këto veprime, të cilat janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për kryerjen e detyrave dhe autorizimeve policore dhe Udhëzimin Administrativ për përdorimin e forcës nga zyrtarët policorë. Sjellje të tilla nga ana e policisë jo vetëm që bien ndesh me ligjin, por cenojnë drejtpërdrejt të drejtat e njeriut dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Policisë së Kosovës”, thuhet në reagim.
AVONET tutje thekson se mosreagimi dhe mungesa e një deklarate publike nga Policia e Kosovës në lidhje me këtë rast është edhe më shqetësuese.
“Në një situatë ku të rinjtë janë bërë viktima të veprimeve potencialisht të paligjshme, autoritative dhe arbitrare të policisë, heshtja zyrtare është një cenim i përhershëm i besimit publik ndaj institucioneve.
Në këtë kontekst, AVONET pret nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) që të trajtojë këtë rast sipas obligimeve të tyre ligjore, në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Është thelbësore që hetimi të zhvillohet me integritet dhe transparencë, për të siguruar që të gjitha faktet të dalin në dritë dhe të ndëshkohen të gjithë ata që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Në një shtet ku institucionet përpiqen për llogaridhënien dhe ndërtimin e besimit publik, Drejtori i Policisë do të duhej të paraqitej publikisht për të informuar qytetarët dhe për të garantuar se veprime të tilla nuk pasqyrojnë politikën zyrtare dhe angazhimin e Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve”, thuhet tutje në reagim. /Telegrafi/