Telegrafi

Avokatja e Krasniqit: Ai ishte zëdhënës i UÇK-së, s’është përfshirë në çështje operacionale ushtarake

Venkateswari Alagendra, avokate e Jakup Krasniqit, në ditën e tretë të gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka mohuar të gjitha akuzat e Prokurorisë.

Në fjalën e saj, avokatja tha se pas shkurtit të vitit 1999 nuk ka asnjë dëshmi se Krasniqi ishte zëvendëskomandant i UÇK-së, ashtu siç pretendon ZPS-ja.

Sipas saj, Krasniqi nuk do të duhej të akuzohej fare nga Gjykata Speciale dhe se ZPS ka dështuar në përpjekjen e saj të jap argumente për fajësinë e tij.

“Kam besim që gjatë gjithë këtij gjykimi ju do të shihni si prokuroria ka dështuar në mënyrë të dukshme në përpjekjen e saj për të provuar çështjen kundër Krasniqit, do të shikoni po ashtu se ai nuk do duhej të akuzohej fare”, deklaroi avokatja e Krasniqit.

Ajo tutje tha se klienti i saj ka pasur rolin e zëdhënësit të UÇK-së, pra nuk është përfshirë në çështje operacionale ushtarake.

“Pretendimi i Prokurorisë se z. Krasniqi ishte komandant me kontroll efektiv mbi luftëtarët bie tërësisht poshtë. Ai ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe ne të gjithë e dimë shumë mirë se çfarë roli ka zëdhënësi. Ata nuk përfshihen në çështje operacionale ushtarake”, u shpreh Alagendra. /Telegrafi/