Site icon Telegrafi

Avokatja e Gjinovcit dhe Hoxhes: Aktivistët mund të dënohen nga 3 muaj deri në 3 vite burgim

Dy aktivistët e ORCA-s Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha gjatë të hënës janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Kjo për arsye se të njëjtit kishin penguar profesorin Bujar Dugolli ta zhvillojë ligjëratën e tij në Fakultetin Filozofik në UP.

Pas lirimit të dy aktivistët kanë dalë në një prononcim për medie së bashku me avokaten e tyre Rina Kika.

Kika tha se Gjinovci dhe Hoxha janë marrë në pyetje për veprën penale pengim i personit zyrtarë dhe për këtë gjë mund të dënohen nga 3 muaj deri në 3 vite.

“Këta dy aktivistë sot janë arrestuar nga policia dhe janë dërguar në stacion policor dhe janë marrë në pyetje në lidhje me aksionin e tyre paqësorë nën dyshimin se e kanë penguar personin zyrtar. Kjo vepër penale është e dënueshme prej 3 muaj deri në 3 vite. Në fakt këta nuk do të duhej të merreshin fare në pyetje për këtë vepër penale sepse të gjitha veprimet e aksionit të sotëm ishin paqësore dhe si të tilla nuk e plotësojnë asnjërin nga elementet e veprës penale ‘Pengimi i personit zyrtar”, tha ajo.

Ndryshe, aktivistët e ORCA-s Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha gjatë ditës së hënë kanë penguar të mbahet ligjërata e profesorit Bujar Dugolli në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas këtij aksioni ndaj “paligjatorëve të shpallur” nga Këshilli i Etikës së po të njëjtit fakultet.

“Pasi procedurat për vendimin përfundimtar për rastin e plagjiaturës Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati po marrin kohë siç ndodhë rëndon në Universitetin e Prishtinës, kemi vendosur që nga tash e tutje të kalojmë në aktivizëm gueril. Në të gjitha rastet kur institucionet tregohen të paafta për t’i jetësuar vendimet meritore ndëshkuese për kryesit e shkeljeve, ORCA do të reagojë duke iu pamundësuar kryesve aktivitetin e tyre të përditshëm normal”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate./Telegrafi/

Exit mobile version