Avokatja e të dyshuarit për vrasjen e dy të rinjve te parku i Prishtinës tha se i mbrojturi i saj ndodhet në gjendje të rëndë.
Më 29 gusht të këtij viti, dy të rinjtë Eron Agaj (1994) dhe Arianit Gashi (1995) humbën jetën pas plagëve të marra te Parku i Prishtinës.
I dyshuari për vrasjen e dyfishtë të dy të rinjve, Lulzim Idrizi, shtetas i Shqipërisë, që nga ajo ditë e deri më 19 nëntor kur u vetëdorëzua në polici, ndodhej në arrati.
Aurora Mullhaxha, avokatja e të dyshuarit për dy vrasjet, tregoi për KALLXO.com se i mbrojturi i saj ishte në gjendje të rëndë dhe kishte tentuar vetëvrasjen.
“Lulzim Idrizi pas vrasjes ka tentuar të bëjë vetëvrasje, duke qëndruar në koma për 4 muaj. Klienti im ishte në koma deri 3 javë para dorëzimit, kjo ka qenë arsyeja për mosdorëzim në organet e drejtësisë”, tha Mulhaxha.
Avokatja tregoi se i gjendja e të dyshuarit për vrasje ende nuk është e mirë dhe sipas saj është nën kujdesin e mjekëve.
Për më tepër, avokatja Mulhaxha për KALLXO.com bëri të ditur se 10 ditë pasi që është zgjuar nga koma, klienti i saj, ka ri- tentuar të vetëvritjt.
Sipas avokates, këto veprime i dyshuari i ka bërë nga ndjenja e fajit.
“Për shkak të vrasjes nuk ka mujtë me u pajtu me vetveten dhe ka deshtë me i jep fund jetës”, theksoi Mulhaxha.
Më 19 nëntor të këtij viti, i dyshuari Idrizi u dorëzua në polici, derisa të nesërmen, më 20 nëntor, të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e dyfishtë te parku i qytetit vitin e kaluar.
KALLXO.com kishte siguruar pamje ekskluzive të dorëzimit të tij në polici.
Ai dyshohet për vrasjen e dy të rinjve në mesditën e 29 gushtit 2016 në afërsi të parkut të qytetit.
Dy të rinjtë Eron Agaj (1994) dhe Arianit Gashi (1995) u qëlluan për vdekje në rrethana mizore nga sulmuesi, i cili lëvizte me motoçikletë.
Motivet të cilat e shtynë dorasin ta kryejë këtë vrasje ende nuk dihen.